Kur termometri po shënon 40 gradë celcius, personat që vuajnë nga problemet kardiake janë më të ndjeshëm ndaj temeraturave të larta për shkak të luhatjeve fiziologjike.
Dr.Alfred Nona, mjek kardiolog prane Spitalit Amerikan 1, shprehet se vetë i nxehti sjell rënie të tensionit duke shkaktuar rritje të rrahjeve të zemrës, ndaj ai sugjeron që kjo kategori pacientësh duhet patjetër të kryejnë një konsulte me mjekun kardiolog apo mjekun e familjes për të rishikuar planin e trajtimit.
‘’Mund të reduktojmë numrin e medikamenteve, mund të reduktojmë dozën e medikamenteve ose në ndonjë rast ekstrem them edhe të heqim medikamenet fare për një periudhë të shkurtër sepse ulet vetvetiu tensioni nga temperaturat e larta.
Kjo gjë duhet bërë në dakordësim gjithmonë me mjekun përkatës”, tha mjeku Nona.
Një tjetër rast është ngushtimi i venave ku dr Nona jep këshillat e tij.
‘’Nëse tensioni ulet shumë tek këta pacientë, pra kemi hipotension të theksuar, atëherë kemi edhe ndonjë dhimbje kraharori’’, tha mjeku Nona.
Djersitja e tepërt shkakton probleme po ashtu.
‘’Nëse ne kemi drejsitje të theksuar dhe humbje sidomos të kaliumit që është një elektrolit shumë i rëndësishëm, kjo na shton aritmitë’’.
Nona shton se shmangia e të qëndruarit jashtë në pikun e diellit, ecja pak e shpejtë në mëngjes dhe mbrëmje janë këshillat kryesore, ashtu si dhe hidratimi dhe ushqimi i duhur.