Denisa Canameti
Kardiologët e kanë të pamundur që ta mbyllin punën e tyre në orarin e përcaktuar. Çdo ditë dhjetëra njerëz qëndrojnë përpara derës së kardiologut në pritje të vizitës së radhës. Konsulta e fundit për ditën e sotme ishte për lexuesin e gazetës “Shëndet+”, në radhë për të marrë informacione më të detajuara nga kardiologia Manjola Liko.
zemer 1Sëmundjet arteriosklerotike ndodhin kur lyrat (lipidet) fillojnë e depozitohen brenda arterieve koronare. Arteriet koronare janë enët e gjakut që furnizojnë muskulin e zemrës me gjak, të pasur me oksigjen. Është një proces gradual që zhvillohet në vite dhe në një moment të caktuar të jetës mund të japë dhimbje kraharori, që mund të ngelet në këtë kuadër nëse mjekohet, por mund të japë edhe infarkt miokardi nëse dëmton pjesën më të rëndësishme. Kardiologia thekson se janë disa faktorë që njihen si faktorë rreziku për sëmundjet koronare.
Doktoreshë, çfarë duhet të kuptojmë me sëmundje arteriosklerotike të zemrës?
Skleroza është një proces inflamator, i cili ndodh në brendësi të enëve të gjakut. Përsa i përket zemrës më e shprehur është arterioskleroza e enëve koronare që janë enët e vogla që ushqejnë muskujt e zemrës me gjak. Është një proces gradual që zhvillohet në vite dhe në një moment të caktuar të jetës mund të japë dhimbje gjoksi. Kjo dhimbje mund të ngelet në këtë kuadër nëse mjekohet, por mund të japë edhe infarkt miokardi nëse dëmton pjesën më të rëndësishme.
A mund të jetë shkak për vdekshmëri?
Patjetër. Është një ndër shkaqet kryesore të vdekshmërisë kardiake.
Cilët janë faktorët e rrezikut?
Janë disa faktorë që njihen si faktorë rreziku për sëmundjet koronare. Ndër to është abuzimi që bëhet në jetën e përditshme me ushqimin dhe me veset. Tek ushqimet që ndikojnë negativisht ose që ndikojnë në shfaqjen e arteriosklerozës, janë ushqimet e pasura me yndyrna, brumërat, sheqernat etj. Por më shumë yndyrnat ushqimore. Yndyrnat që kanë dhjamërat, mishi i kuq, gjalpi etj.
Po veset që favorizojnë arteriosklerozën cilat janë?
Përmendim duhanin që ndikon tepër. Është parë në shumë studime që duhanpirësit kanë një përqindje më të lartë për arterisklerozë se ata që nuk e konsumojnë. Gjithashtu jeta pa lëvizur i bën dëm të gjithë sistemit kardiovaskular.
Mund të themi që stili i jetesës është një faktor kryesor risku?
E thashë edhe më lart. Stili i jetesës është faktor negativ për sëmundjet kardiake. Do të ishte mirë që çdokush të bënte sa më shumë aktivititet fizik. Ne u rekomandojmë pacientëve edhe lëvizjet e thjeshta. Shumë prej tyre mund të mos e kenë mundësinë që të merren me palestër, për shembull të moshuarit. Në këtë rast ne u rekomadojmë që të ecin disa orë, aq sa ata e shikojnë të mundur.
A luan rol trashëgimia?
Po, një nga faktorët e tjerë të riskut është trashëgimia. Kjo e fundit luan një rol shumë të rëndësishëm. Të gjithë ata njerëz që e dinë se kanë pasur prindërit me probleme kardiake ose një nga vëllezërit, motrat, duhet të bëjnë kontrolle më të shpeshta dhe të jenë më të ndjeshëm ndaj problemeve apo shqetësimeve sado të vogla që mund të shfaqë organizmi.
Cilat do të ishin masat parandaluese?
Një ushqim sa më i shëndetshëm, një jetë aktive, si dhe një kontroll periodik te mjeku duhet të jetë në kulturën e gjithsecilit nga njerëzit. Bilanci biokimik është shumë i rëndësishëm, sepse një nga shkaqet kryesore janë edhe yndyrnat e larta në gjak.
Cilat janë shenjat klinike tipike të kësaj sëmundje?
Arterioskleroza koronare e artiereve koronare shenjë tipike ka dhimbjen e kraharorit. Jo gjithmonë shfaqet në kuadrin e shenjave tipike. Ka dhe njerëz që e përjetojnë në mënyrë jo tipike. 80% të njerëzve që kanë probleme koronare, kanë dhimbje kraharori në sforcime fizike. Një dhimbje që zgjat 2-3 minuta. Kur njeriu ulet për të pushuar, pushon edhe dhimbja, e cila fillon përsëri kur individi rinis aktivitetin.
Por ka edhe 20% të sëmurëve që nuk e shfaqin në këtë lloj mënyre. Mund ta shfaqin me një dhimbje të krahut, djersitje, të vjella, ose kemi raste që kanë pasur dhimbje të nofullës ose shtrëngim në fyt e lidhur kjo me probemet koronare. Në rastet jo tipike është shumë e vështirë që ata të drejtohen tek mjeku kardiolog për këtë gjë. Gjithsesi, kontakti edhe me mjekun e familjes mund ta orientojë pacientin drejt specialistit.