Tërmeti i mbrëmshëm, që shkundi edhe Shqipërinë, por nuk e pati epiqendrën në vendin tonë, ka kaluar pas asnjë pasojë edhe materiale brenda kufijve tanë zyrtarë.
Kështu ka bërë me dije Ministria e Mbrojtjes, vetë ministri Niko Peleshi: “Të dhënat paraprake nga IGJEUM konfirmojnë një tërmet të fortë me epiqendër 10 km në Jug-Perëndim të qytetit Monstar, Bosnje Hercegovinë, me Magnitudë 5.7, Thellësia 10 km, 202 km nga Tirana.
Ky tërmet është ndjerë pothuajse në të gjithë vendin, por deri në këtë moment nuk raportohet për të lënduar apo dëme materiale. Ndërkohë, të gjitha strukturat e mbrojtjes civile janë në monitorim të situatës në të gjithë vendin”.
Natyrisht, lëkundjet kanë krijuar panik te qytetarët, të cilët i kanë të freskëta pasojat tragjike të tërmeteve të fundit në Shqipëri, që shkaktuan shumë jetë të humbura dhe dëme të mëdha materiale.
Rindërtimi i zonave të prekura vijon ende, duke ngritur qytete, qyteza e fshatra të rinj mbi gërmadhat si ajo e Thumanës etj. Tërmeti i 26 nëntorit 2019 ishte i frikshëm, Shqipëria veriperëndimore u godit fort me magnitudë 6.4, me epiqendër 16 kilometra në perëndim-jugperëndim të Mamurrasit, në orën 03:54.
Dridhja u ndje pothuajse në krejt Shqipërinë, si dhe në vende aq larg sa Taranto dhe Beogradi, rreth 370 kilometra në verilindje të epiqendrës. Në total 51 njerëz mbetën të vdekur nga tërmeti dhe mbi 3000 vetë u plagosën. Për nga shkalla e magnitudës ky ishte tërmeti më i madh që ka goditur Shqipërinë në më shumë se dyzet vitet e fundit.