Lufta Rusi-Ukrainë, këto janë katër pikat ku goditet ekonomia shqiptare

Ekonomia e Shqipërisë do të pësojë goditje direkte dhe të tërthorta nga sulmet e Rusisë në Ukrainë. Çmimet e karburanteve dhe miellit pritet të rriten, pasi vendi importon nga Rusia 47% të nevojave vjetore me grurë dhe 12% të naftës. Pasojat indirekte do të vijnë nga rritja e përgjithshme e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë dhe ndikimet negative në turizëm. Grosistët pohojnë se ka rezerva me naftë për tre muaj dhe me grurë, për 45 ditë, por pohojnë se furnizimet e reja do të jenë me çmime më të larta. Tre skenarët e ndikimit të luftës në ekonominë globale.

Kur sulmet e Rusisë në Ukrainë nisën në agimin e së enjtes më 24 shkurt, përtej sigurisë, shtetet kudo në botë filluan të përllogarisin kostot ekonomike të luftës. Tregjet globale që sapo kishin nisur rimëkëmbjen e brishtë pas pandemisë ranë në stres. Çmimet e mallrave, sidomos naftës dhe grurit, u rritën menjëherë nga 5-8% brenda ditës.

Siç ka treguar historia, krizat nuk i prekin njësoj të gjitha vendet. Në kohë lufte, zinxhirët e furnizimit dëmtohen, ndaj shtetet që kanë rezerva të mëdha me furnizime vuajnë më pak, pasi shpesh edhe fuqia monetare nuk mjafton nëse mallrat mungojnë.

Nëse lufta zgjat dhe sanksionet gjithashtu, Shqipëria do të ndikohet prej saj me furnizimin e mallrave kryesore në vend, bukës dhe naftës. Përballja tjetër do të jetë me pamundësinë për të frenuar rritjen e çmimeve që do të sjellë lufta për të gjithë artikujt e importit në tërësi.

Ajo do ta ndikojë vendin tonë direkt, për shkak të varësisë së furnizimeve me naftë dhe grurë nga Rusia dhe indirekt, me rritjen e çmimeve të mallrave, pasi Ukraina është eksportues kryesor global për lëndë të para për industrinë ushqimore (drithëra, vaj luledielli etj.).

Shqipëria siguron nga tregu rus 47% të nevojave vjetore për grurë dhe nga Ukraina 3.3%, sipas INSTAT. Kryetari i Shoqatës së Përpunuesve të Miellit, Adi Haxhiymeri, tha se, rezervat e grurit në vendin tonë mjaftojnë për 45 ditë. Ai e përjashtoi mundësinë e mbetjes pa furnizim, por tha se çmimi i drithërave do të rritet më tej.

Luigj Aliaj, nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, pohoi se rezervat me karburante mjaftojnë për tre muaj, por shtoi se situata në furnizime dhe çmime do të evoluojë në varësi të situatës.

Izolimi ekonomik i Rusisë nga sanksionet që po vënë vendet perëndimore do të bllokojë ekonominë e 11-të më të madhe në botë, dobësimi i së cilës do të vërë në vështirësi furnizimin e botës me lëndë të para, sidomos me naftë.

Në skenarin më të keq, që nënkupton ndërprerje totale të gazit nga Rusia, ekonomia e Europës do të pësonte rënie me 3%, sipas një analize që bëri për këtë qëllim agjencia e lajmeve në SHBA, “Bloomberg”. Lufta do të ndikojë edhe në sektorin e turizmit në Shqipëri, pasi ukrainasit përbënin 22% të lëvizjeve me charter drejt Shqipërisë.

Shqipëria, 2,7% të tregtisë me zonat në konflikt

Gjatë vitit 2021, Shqipëria realizoi 2.7% të tregtisë së jashtme me zonat në konflikt, Rusi dhe Ukrainë. Volumi tregtar i Shqipërisë arriti 701 miliardë lekë, ndërsa me Rusinë dhe Ukrainën, tregtia në vlerë ishte 19 miliardë lekë, ose 2.7% të totalit.

Volumi tregtar dominohet nga importet e mallrave prej këtyre dy vendeve. Në vitin 2021, Shqipëria importoi nga Rusia dhe Ukraina 19 miliardë lekë mallra, që përbën 99.5% të volumit tregtar dhe pjesa tjetër, 0.5%, përfaqësohet nga eksportet shqiptare në këto vende, kryesisht prodhime bujqësore.

Pavarësisht se volumi tregtar në këto vende është i ulët, Shqipëria ka varësi të lartë në importin e lëndëve jetike, si drithërat dhe nafta nga Rusia. Nga këto vende importojmë 50% të sasive vjetore të drithërave dhe 12% të naftës.

Por varësia indirekte nga tregjet e Ukrainës dhe Rusisë është më e lartë. Ukraina është prodhuesi dhe eksportuesi më i madh në botë i drithërave dhe vajit të lulediellit, të cilat grosistët shqiptarë i blejnë të përpunuara nga vende të tjera, kryesisht Italia.

50% e drithërave nga Rusia dhe Ukraina, rezervat vendase mjaftojnë për 45 ditë

Sulmet në Ukrainë ishin dita më e zezë për importuesit e grurit, të cilët e kanë të lidhur biznesin e tyre direkt nga furnizimet ruse. Adi Haxhiymeri, një nga importuesit kryesorë të grurit, tha se konflikti ndërmjet prodhuesve kryesorë të drithërave në botë, Rusisë dhe Ukrainës, do të vërë në vështirësi furnizimet në të gjithë botën.

Të dhënat nga doganat tregojnë se në vitin 2021 u importuan gjithsej 326 mijë tonë drithëra, 50% e të cilave ishin furnizime nga zonat në konflikt. Shqipëria importoi 47% të drithërave nga Rusia në vitin 2021, 36% nga Serbia, 4% nga Franca dhe 3% nga Ukraina. Burimet e importit të drithërave dominohen nga Rusia, Ukraina dhe Serbia në 86% të totalit të nevojës për konsum.

Grosistët pohojnë se rezervat nuk janë të mëdha, pasi një pjesë e tyre u zbrazën për shkak të pandemisë, ndërsa në dy vitet e fundit ka pasur probleme në furnizime nga rënia e prodhimit.

Adi Haxhiymeri tha se lufta në Ukrainë erdhi në një kohë krize të shumëfishtë, të krijuar nga rënia e prodhimit të grurit dhe çmimet e larta të energjisë. Ai tha se grosistët kanë rezerva të mjaftueshme në magazina, për të përballuar 1.5 muaj importe, por ndërkohë qeveria nuk ka asnjë rezervë me grurë, ashtu si shtetet e tjera kanë në këto situata.

Sipas z. Haxhiymeri, grosistët po mundohen të gjejnë burime të reja furnizimi si nga Franca, Argjentina, Rumania etj. Mundësia për të mos pasur furnizime, sipas tij, është shumë e ulët, por çmimi i importeve të reja do të jetë më i lartë. Ndërkohë, në këtë moment, importuesit kanë nevojë për likuiditete të mëdha, në mënyrë që të ndryshojnë burimet e furnizimit dhe të përballojnë çmimet e larta.

Aktorët e tregut të bukës pohojnë se, nëse konflikti zgjat dhe sanksionet gjithashtu, nuk do të bëhet më fjalë për çmime, por për ekzistencën e produktit. Rusia është furnizuesi më i madh në botë i grurit dhe, së bashku me Ukrainën, përbën gati një të katërtën e totalit të eksporteve globale. Në vende si Egjipti dhe Turqia, drithërat ruse plotësojnë 70% të nevojave vendase.

Burimi: INSTAT