NGA LIRA GJIKA
“Po si të sillemi, kur fëmijët nuk na dëgjojnë?” pyesin disa nëna dhe vazhdojnë “disa të bërtitura dhe nga një shpullë mbrapa nuk bën asgjë”. Po, është e vërtetë që nga një shpullë dhe disa të bërtitura fëmija nuk vdes . Po për fat të keq, vdes figura e të rriturit si model i së mirës, i vullnetit, i durimit dhe qytetares. I rrituri ndaj fëmijës duhet të reagojë vetëm nëpërmjet fjalës dhe butësisë. I rrituri duhet të dënojë veprimin dhe jo fëmijën, siç për fat të keq ndodh zakonisht.
I rrituri fiksohet te fëmija dhe harron të mendojë se si duhet ta menaxhojë situatën, cili duhet të jetë reagimi i tij. Për fat të keq, këtë lloj të sjelluri dhe të menduari, nuk e hasim as në institucionet e edukimit, si kopshte dhe shkolla. Prindërit , te cilët vijnë nga eksperienca fëmijërie te ashpra e kane te vështirë te sillen ndryshe me fëmijët e tyre. Njeriu nuk i shpëton dot fëmijërisë. Ajo apo ai, vazhdon ta përsërisë në mënyrë të pavullnetshme sjelljen që kanë ushtruar ndaj saj apo tij, në fëmijëri, madje pa e kuptuar .
Për fat të mirë edhe në Shqipëri, po shtohet numri i nënave dhe baballarëve, që i kanë në qendër të vëmendjes fëmijët e tyre dhe me heroizëm, përballojnë veten, qe fëmijët e tyre të mos i rritin siç janë rritur vete, me të bërtitura, padurim, mallkime dhe të rrahura. Këta prindër përpiqen tu a mësojnë njerëzoren, ashtu siç dëshirojnë (pasi njerëzorja mësohet, nuk është e lindur), nëpërmjet fjalëve të menduara e të përzgjedhura nëpërmjet dashurisë dhe jo sipas ngarkesave emocionale dhe padurimit e mërzisë.