Lezhë- Dasmat janë një ngjarje e shënuar në jetën e njeriut. Shqiptarët i kushtojnë mjaft rëndësi këtij eventi.
Çdo zonë ka traditat e veta dhe dasma shqiptare është mjaft e bukur.
Por një nga ‘huqet’ e shqiptarëve në dasma është hedhja e parave.
Gjatë gjithë jetës rropaten duke punuar për t’i shpenzuar paratë në një ditë të tillë.
Ka prej familjeve që zhyten edhe në borxhe.
Po ashtu djemtë emigrantë për t’u ‘dukur’ hedhin para në dasma dhe gjithë mundi shkon dëm vetëm për një tekë të një dite.
Një video e shpërndarë së fundmi nga një dasmë në Lezhë është bërë virale në rrjet, për shkak të sasisë së madhe të parave që hidhen nga dasmorët.
Siç shihen edhe në video, disa djem janë të ulur në një tavolinë duke pirë birra e duke kënduar “Mirdita ka djem azgana..”, ndërkohë që dy të tjerë hedhin para nga sipër, teksa i nxjerrin nga një thes i zi.
Prerjet e kartmonedhave janë kryesisht 20 euro dhe nga një përllogaritje e përafërt, bëhet fjalë për një shumë rreth 50-60 mijë euro.