Lakror misri (pispili) me Presh e Gjizë

Një recetë tradicionale e shëndetshme. Mielli i misrit e bën më të lehtë për organizmin dhe preshtë dhe gjiza edhe më të shijshme. Mund të shijohet shumë mirë me kos apo me dhallë.

Përbërësit

5 kg presh
300 gr gjizë
1 gotë kos
3 vezë
1/2 gotë vaj ulliri
1 lugë çaji sodë
2 lugë çaji kripë
400 gr miell misri

Përgatitja
1
Lajmë dhe pastrojmë preshtë, të cilët i grijmë hollë. I skuqim në tenxhere me yndyrë e kripë duke i kaurdisur dhe i mbulojmë me kapak që të zbuten. I përziejmë herë pas here që të mos digjen. Pasi i heqim nga zjarri i lemë që të ftohen dhe pastaj u hedhim pak gjizë dhe i përziejmë.
2
Në një tas rrahim vezët, shtojmë vaj ulliri, kos, sodë, kripë dhe miellin e misrit të situr.
3
Zemë një brumë me trashësi mesatare. Shtrojmë 2/3 e brumit në tepsi të lyer me yndyrë dhe sipër brumit hedhim preshtë te përgatitur me gjizë. Mbi ta hedhim 1/3 e brumit të mbetur, të cilin e rrafshojmë me një lugë.
4
E pjekim në furrë të nxehur paraprakisht në 200 gradë C deri sa të marrë një ngjyrë të kuqërremtë. Fikim furrën dhe lyejmë me pak kos sipër tepsinë që lakrori të rrijë i butë. Pispilia është gati!