Greqia ka hequr testin për koronavirusin pas situatës së jashtëzakonshme të ndodhur që prej ditës së djeshme, ku radhë të gjata kilometrike mbushën rrugët drejt doganës së Kakavijës dhe Kapshticës.
Mësohet se pas 17 gushtit analiza për të konfirmuar se je negativ me Covid-19 mund të bëhet në laboratore në Shqipëri.
Nga ana tjetër nga Greqia pritet një seri masash të reja për të zvogëluar përhapjen e koronavirusit në komunitet, njoftoi zv.ministri i Mbrojtjes Civile, i ngarkuar me Mbrojtjen Civile dhe Menaxhimin e Krizave, Nikos Hardalias, duke përfshirë ndalesa në tubimet publike dhe përdorimin e detyrueshëm të maskave në të gjitha hapësirat e mbyllura e vendet e punës.
Në një intervistë zëvendës ministri i Jashtëm, Agron Tare është shprehur se testi nga pala greke do të bëhet me kampionim, 1 ne 10 dhe jo më për të gjithë qytetarët.
“Në këto momente është hapur kufiri dhe po kalojnë qytetarë, se ishte bllokuar. Kjo situatë është në të gjithë botën, janë kushte të sigurisë, jo se grekët kanë bllokuar. Ministria e Brendshme greke është në debat me ministrinë e Brendshme për të lehtësuar kalimin e udhëtarëve në Kakavijë. Deri tani ka qenë e bllokuar, se mjekët grek kanë pasur probleme, logjistike dhe materiale, nuk kanë pasur tamponë.
Tani do hapet, do kalojnë me tampon, po diskutohet që të hiqet tamponi dhe ta bëjnë me kampion, jo të gjithë, por disa do e bëjnë. Që t’ua bëj më të thjeshtë, nëse kalojmë 100 makina, 10 qytetarë mund t’u bëhet tamponi, të tjerëve jo. Kjo situatë do jetë nga sot, pastaj në varësi të shifrave do shihet, se mund të mbyllet fare kufiri nëse ka raste të reja shumë“, tha Tare.