Prej mese një viti ka skaduar marrëveshja mes Shqipërisë e Italisë për njohjen e së drejtës së konvertimit të patentave shqiptare në Itali.
E prej një viti, shumë emigrantë shqiptarë e shqiptarë që punojnë mes Shqipërisë e Italisë janë në vështirësi jetike pasi nuk mund të punojnë apo të lëvizin për punë për shkak të kësaj vonese.
Mjaft prej tyre i janë drejtuar redaksisë së RTV Ora për të mundësuar një përgjigjgje pranë autoriteteve italiane pasi ky fakt ka bërë që mjaft prej tyre të humbasin vendin e punës apo ta kenë të pamundur të punojnë apo të lëvizin për motive pune.
Ministria Italiane e Transportit, në një përgjigje eskluzive për RTV Ora, ka sqaruar motivet e kësaj vonese.
“Procedurat për rinovmin e marrëveshjes dypalëshe mes Italisë e Shqipërisë për konvertimin e patentave shqiptare janë në zhvillim e sipër. Për momentin nuk është e mundur të informojmë për një datë të caktuar të ashtëquajturës procedurë rinovimi, pasi negociatat përfshijnë jo vetëm autoritetet italiane pra Ministrinë e Jashtme Italiane por dhe organet kompetente të autoriteteve shqiptare. Drejtoria përgjegjëse pranë Ministrisë Italiane të Transportit sinjalizon se duke parë rëndësinë e kësaj marrëveshje për qytetarët shqiptarë, po punojnë për të përshpejtuar këto procedura”.
Sipas përgjigjes së palës italiane duket qartë se rinovimi i kësaj marrëveshje varet dhe nga inpenjimi i autoriteteve shqiptare në përgatitjen e dokumentacionin përkatës e në arritjen e një firme të dytë.
Sipas dokumentacionit zyrtar publik të Minsitrisë Italiane të Infrastrukturës e Transportit, prej datës 25 dhjetor 2019 ka skaduar marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për njohjen e së drejtës së konvertimit të patentës shqiptare në Itali.
Sipas vendimit, tashmë të skaduar firmosur nga Ministria Italiane e Transportit, dhe e protokolluar me numër 27774 më datë 5 dhjetor 2014, adresuar të gjitha zyrave territoriale e rajonale të drejtorive të transportit, Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Guardia di Finanza, Drejtorisë së Policisë së shteit, Ministrisë së Jashtme, Shoqatës Kombëtare të Autotransportit e Prefekturave, informohej se prej datës 25 dhjetor 2014, ka hyrë në fuqi marrëveshja e re mes Republikës Italiane e Republikës së Shqipërisë për konvertimin e patentave të makinave.