Shqiptarët këtë Verë nuk do të pengohen për të udhëtuar jashtë kufijve të vendit. Në një intervistë për Tv Klan, zëvendës ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini, tha se edhe nëse vendet europiane nuk njohin vaksinat kineze dhe ruse, shqiptarët do të udhëtojnë me tampon.
“Përveç aplikimit me pasaportën e vaksinimit është edhe tamponi 48-72 orë. Kështu që popullata shqiptare nga kryerja e njërës apo tjetrës vaksinë nuk do të privohet nëse kemi disa alternativa siç është pasaporta e vaksinimit me vaksinat e BE apo kryerja e një tamponi”.
Edhe ata persona që e kanë kaluar Covid, nuk mund të udhëtojnë vetëm më vërtetim pasi barkodet që njihen në kufi janë të vendosura vetëm tek certifikata e vaksinimit si edhe tek rezultati i tamponit.
“Ka individë të cilët mund ta kenë kaluar sëmundjen por nuk reflektojnë në gjak antikorpe, prandaj edhe nëse individët që kanë kaluar sëmundjen të kryejnë tamponin 48-72 orë”.
Sipas Tominit testi serologjik nuk mund të tregojë prezencë antikorpesh nëse ka kaluar më shumë se një vit nga kalimi i sëmundjes. Deri tani asnjë vend në Europë nuk ka dalë me vendim final për të lejuar apo jo turistë nga vendet jashtë unionit.
Marrë nga Tv Klan