Mjeku i njohur Ilir Alimehmeti ka folur për procesin e vaksinimit masiv, ku tha se ditët e fundit kemi një rënie të shifrave, pasi sipas tij personat që rezultojnë pozitivë marrin mjekimin e duhur nga mjeku i familjes. Por sipas tij situata reale është më e lartë se shifrat zyrtare, pasi nuk mund të kapen të gjitha rastet.
Pyetje: A janë reale shifrat?
“Kemi një situtë në rënie, shifrat janë në rënie dhe indikatorë të shumtë në përqindjen e pozitivitetit të testit, në numrat spitalorë dhe fatmirësisht dhe në humbje jete në shifrat zyrtare. Situata në komunitet është më e ulët edhe pse ne e dimë që në krahasim me shifrat zyrtare, situata reale është gjithmonë më e lartë sepse nuk kapen të gjitha rastet”, u shpreh mjeku Alimehmeti.
Teksa foli për shifrat pas vaksinimit, mjeku u shpreh se kjo nuk ka lidhje me rënien e shifrave, pasi numri i të vaksinuarve deri më tani është akoma I ulët dhe nuk kemi një imunizim të plotë në popullatë.
“Nuk ka lidhje me vaksinimin për një arsye të thjeshtë, përqindja e njerëzve që ka marrë një dozë deri më tani është akoma e ulët, rreth 10 % dhe nuk është imunizim i plotë duhet të kalojnë 2 ose 3 javë nga marrja e dozës së dytë, ky është imunizim i plotë. Arsyeja nuk është vaksinimi, por natyra e këtij virusi ku zgjat rreth 10 javë një vale. Ishte e përllogaritshme që në fund të marsit do të fillonte zbritja e kurbës së infektimeve do të vazhdonte përtej prillit. Gjithshtu dhe moti i mirë na favorizon. Imunizimi përmes vaksinës ende nuk ka hyrë në lojë”, tha mjeku.