Lajme te mira nga i nxehti, si do të jetë moti në fundjavë, lajm i mirë për “luftën” kundër zjarreve

Nga dita e sotme temperaturat në vendin tonë do të pësojnë një rënie të ndjeshme në vlerat maksimale dhe minimale. Meteorologu Akil Osmani nga MeteoAlb shpjegon për Abcnews.al se gjatë fundjavës do të ketë një rritje të lehtë të temperaturave që pritet të shkojnë deri në 37 gradë celcius. Ndërkohë pjesa më e madhe e vendit, veçanërisht ajo bregdetare do të përfshihet nga kthjellimet prej pasdites së sotme.

Ndërkohë ndalur te situata e zjarreve në vendin tonë, përhapja e të cilëve është favorizuar nga erërat e forta, duket se nga sot ka lajme të mira. Osmani shprehet se prej pasdites së sotme dhe përgjatë fundjavës do të ketë një dobësim të shpejtësisë së erës.

“Temperaturat e ajrit gjatë ditës së sotme kanë pasur një rënie të ndjeshme në vlerat minimale duke bërë që në zonat malore të zbresin deri në 15 gradë celcius ndërsa maksimumi gjatë ditës së sotme nuk pritet të kalojë vlerën 34 gradë celcius në zonat e ulëta.

Pritet që gjatë fundjavës të kemi rritjet të lehtë të vlerave termike deri në 37 gradë ndërsa vlera e ulëta do luhaten mes vlerave 13-14 gradë celcius. Sa i përket kushteve të motit në territorin shqiptar gjatë paradites kemi vranësira ndërsa pasdite dhe fundjava do të ketë mbizotërim të kthjellimeve. Gjatë ditës së sotme dhe në fundjavë presim një dobësim të shpejtësisë së erës”, shprehet Osmani.

E njëjta situatë parashikohet edhe në rajon, përkatësisht në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë pasur një rënie të ndjeshme të vlerave maksimale deri në 31 në Kosovë dhe 32 në Maqedoni. Edhe në fundjavë do të ketë një rritje të lehtë, në Kosovë deri në 35 gradë ndërsa në Maqedoni deri në 36 gradë celcius. Kushtet e motit në këto dy vende do të jenë të qëndrueshme gjatë fundjavës, ku do të kemi kthjellime dhe kalime të pakta vranësirash”, thotë ai.