Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka përshëndetur vendimin e Bundesratit gjerman, i cili votoi njohjen e lejeve shqiptare të drejtimit.
Përmes një postimi në rrjetin social facebook Balla, i cili është dhe Kryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri-Gjermani, deklaron se prej sot konvertimi i patentave shqiptare në Gjermani do të bëhet pa provime shtesë.
Sipas Ballës, rregullorja e re pritet të hyjë në fuqi pas publikimit në fletoren zyrtare të Gjermanisë brenda disa ditësh.
Postimi i plotë i Taulant Ballës:
LAJM I MIRË!
Prej sot konvertimi i patentave shqiptare në Gjermani do të bëhet pa provime shtesë. Këtë e miratoi sot në Berlin, Këshilli Federal i Gjermanisë, me kërkesë të qeverisë federale.
Rregullorja e re pritet të hyjë në fuqi pas publikimit në fletoren zyrtare të Gjermanisë brenda disa ditësh.
Rregullorja e re mundëson njohjen e pothuajse të gjitha kategorive të patentave shqiptare dhe kosovare në Gjermani. Rregullorja e re vlen vetëm për personat që kanë një vendbanim të rregullt në Gjermani dhe që e kanë bërë patentën përpara se të merrnin rezidencën në Gjermani.