Nga 15 shtatori, në Austri do të mund të udhëtojnë vetëm shqiptarët që janë vaksinuar ose ata që e kanë kaluar COVID.
Ky është njoftimi i fundit nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se duke filluar nga data 15 shtator 2021, vetëm personat plotësisht të vaksinuar, ose me një dëshmi mjeksore që e kanë kaluar Covid-19 dhe janë të shëruar, ose të moshës 12 vjeç e lart do të lejohen të udhëtojnë nga Shqipëria për në Austri pa pasur nevojë të karantinohen.
Të gjithë udhëtarët e pavaksinuar, mund të hyjnë në Austri, por: duhet të regjistrohen paraprakisht në (Pre Travel Clearance English) të paraqesin një test negativ të COVID-19 dhe të qëndrojnë në karantinim të detyruar për 10 ditë në një hotel ose vendbanim, me shpenzimet e tyre. Karantina mund të përfundojë pas 5 ditësh me një test negativ.
Kategoritë që përjashtohen nga kërkesat për regjistrim dhe karantinë janë:
Ata që udhëtojnë për qëllime biznesi; Forca humanitare;Të miturit midis moshës 12 dhe 18 vjeç që hyjnë në Austri nën mbikëqyrjen e personave plotësisht të imunizuar;Ata që hyjnë në vend për arsye të paparashikueshme, urgjente, familjare si (sëmundje të rënda, vdekje në familje, funerale, lindje), të cilat do të vlerësohen dhe merren parasysh si të tilla nga autoritetet përkatëse.