Ka shkuar në mbi 1.5 milionë numri i ukrainasve që janë larguar nga vendi i tyre në 10-ditëshin e fundit, që kur Putini sulmoi vendin e tyre.
Konfirmimi erdhi nga komisioneri i lartë i OKB-së për refugjatët, Filippo Grandi, sipas të cilit kjo është kriza më e madhe në rritje e refugjatëve në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ndërkohë, Ministria e Brendshme e Gjermanisë deklaroi për CNN tha se rreth 38,000 njerëz kanë mbërritur në vend nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt.
Policia Federale Gjermane regjistroi 37,786 refugjatë nga vendi i shkatërruar nga lufta që nga e diela, tha një zëdhënës i ministrisë së brendshme për CNN.
Megjithatë, duke pasur parasysh mungesën e kontrolleve kufitare midis Polonisë dhe Gjermanisë, numri aktual i njerëzve që vijnë mund të jetë dukshëm më i lartë, tha ministria.
Ministrja e Brendshme e Gjermanisë Nancy Faeser i tha gazetës gjermane “Bild am Sonntag” se Gjermania do të presë refugjatët që ikin nga lufta në Ukrainë, pavarësisht nga kombësia e tyre.
“Ne duam të shpëtojmë jetë. Kjo nuk varet nga pasaporta,” i tha Faeser gazetës gjermane.
Ndërkohë numri i vullnetarëve ukrainas që janë regjistruar në Forcat e Mbrojtjes Territoriale që nga fillimi i sulmit rus në vend, ka arritur në 100 mijë. Kjo është bërë e ditur nga Garda Kombëtare e Ukrainës e cituar nga Kyiv Independent.