Në format e lehta anemia kalohet me kujdes dhe me ushqim. në mjekësinë popullore përdoren shumë bimë që shërbejnë për të ndihmuar në përmirësimin e rruazave të kuqe të gjakut
Hysni Dankshi
Këputjet, apatia, dhimbja e kokës, marrja e mendve janë vetëm disa nga problemet që të shkakton anemia. Shpesh na këshillohen ilaçet e megjithatë jo rrallë është mirë që të kemi edhe mundësinë për të mos futur shumë medikamente në trupin tonë. Mjeku i njohur alternativ Hysni Dankshi jep edhe disa receta popullore për të mposhtur aneminë.
Por fillimisht, ç’është anemia?
Me këtë term kuptojmë pakësimin e numrit të rruazave të kuqe të gjakut qarkullues ose ulje e përqindjes së hemoglobinës. Si pasojë e kësaj pakësohet përqendrimi i oksigjenit në gjak dhe në inde, duke favorizuar infeksionet e ndryshme. Anemia mund të jetë si rrjedhojë e gjakderdhjeve të menjëhershme dhe të plagosjeve të ndryshme ose gjakderdhjeve të vogla, por të vazhdueshme (nga zorrët, stomaku, mushkëritë, mitra, majasëlli), nga mosmarrja prej organizmit e lëndëve të ndryshme të nevojshme ushqimore, të vitaminave dhe mineraleve të ndryshme, sidomos të hekurit.
Shenjat e kësaj sëmundjeje janë të njëjta dhe kanë të njëjtat ankesa. Llojet e anemisë përcaktohen më saktë vetëm nga analiza laboratorike të gjakut, ku do të konstatohet numri i rruazave të gjakut. Të sëmurët kanë lëkurë dhe mukoza të zbehta, lodhen shpejt, kanë këputje, kanë apati, nuk kanë oreks, kanë ulje të presionit arterial, rrahje të shpejta të zemrës, vështirësi në frymëmarrje, dhimbje koke, marrje mendsh, sytë me miza, tek femrat mund të ketë mosardhje të menstruacioneve, ndërsa tek meshkujt pamundësi seksuale.
Në forma të lehta dhe mesatare nuk ka nevojë për regjim shtrati, por duhet pasur kujdes dhe duhet kufizuar puna fizike. Për format më të rënda duhet patjetër regjim shtrati. Kushtet duhet të jenë të mira, dhoma e pastër, e ajrosur, me diell, shëtitje në vende malore dhe me gjelbërim. Ushqimet duhet të jenë të pasuruara me vitamina, sidomos me proteina, vezë, peshk, qumësht, gjalp i freskët, lakra të freskëta, spinaq, karota, brokull dhe shumë fruta. Në mjekësinë popullore përdoren shumë bimë që shërbejnë për të ndihmuar shumë në anemi, sidomos në përmirësimin e rruazave të kuqe të gjakut.
Disa nga mënyrat se si mund të kuroni aneminë:
-Merrni 1-2 lugë kafeje prej bimës së pelinit. Hidheni në një gotë ujë dhe ziejeni për 15 minuta. Përdoreni 3 herë në ditë nga 1 lugë gjelle, gjysmë ore para buke, por kura vazhdon 1-2 muaj rresht, deri në përmirësim të plotë të anemisë.
-Merrni 1 lugë gjelle nga fletët e grimcuara të thata të hithrës. I zieni në një gotë me ujë për 15 minuta. Kullohet, ëmbëlsohet dhe pihet 3 herë nga 1 gotë me çaj të ëmbëlsuar me mjaltë për 1 muaj rresht derisa të përmirësoheni.
-Rrënjët e sanzës (gentiana) shërbejnë për aneminë. Merrni 10 grsm me bimë të grimcuar. Zijeni në 1 litër ujë për 15 minuta. Kullohet dhe pini 2-3 filxhana ditën para buke. Gentiana dhe pelini hyjnë edhe në përbërjen e disa preparateve të gatshme të profarmës, si amarotonikum (dhtim oreksi), që qetësojnë dhe përmirësojnë oreksin.
-Përdoren në formë çajrash edhe në fletët dhe frutat e papjekura të arrës, bishtkali, kinfushës. Merrni 100 gr. rrënjë nga bari i shpretkës dhe copëtojeni me disa lëvore nërënxe. Lihen për 24 orë në 1 litër verë. Kullohet dhe pijeni 3 herë në ditë 1 filxhan para buke.
-Merrni 50 gram kinfushe, 50 gram pelin, 50 gram kanellë dhe i zieni në 2 litra verë. Pini 2 gota verë në ditë. Kjo kurë vazhdon për 1 muaj.
-Merrni gjysmë kg lëvozhgë vidhi, 100 gram kinfushe, 100 gram sheqer, 2 fruta qiparisi, 100 gram selino, 50 gram kanellë. Kjo përzierje zihet në 2 litra ujë për 15 minuta. Pijeni në mëngjes, drekë, darkë dhe me 1 gotë raki.
-Mëlçia është i vetmi produkt blegtoral që përmban shumë hekur (Fe). Përmban 850 kalori, që ndihmon shumë në përmirësimin e rruazave të kuqe. Çdo ditë duhet të konsumoni 400 gram mëlçi të zezë viçi, duke e skuqur mirë në tigan. Hani 2 vakte në ditë për 20-30 ditë rresht dhe pastaj bëni një kontroll për analizat e gjakut dhe do të vini re se ndryshimi është i madh në shtimin e rruazave të kuqe të gjakut.
-Molla si frut i artë ndihmon në anemitë. Të konsumoni gjatë ditës 300 – 400 gram mollë, por është mirë të jenë mollë vendi, sepse efektshmëria është më e lartë dhe e garantuar.
-Merrni 100 gram kinëfushe, rigon me lule rozë, 100 gram sheqer, 50 gram kanellë, 100 gram lëvozhga vidhi. Pasi i zieni me 3 litra ujë, pini çdo ditë nga 3 gota uji.
-Porsa arra fillon të rrisë gjethet, bëhet menjëherë mjekimi i anemisë me to. Merrni me numër 90 gjethe dhe i zieni në 2 litra ujë për 1 orë. Lëngu kullohet mirë dhe i ftohur i jepet të sëmurit 1 filxhan çdo mëngjes esëll, me pak sheqer ose mjaltë. Me këtë vazhdohet 2-4 javë rresht. Me gjethe arre anemikët bëjnë edhe banjo gjithë muajit maj, duke u larë me të.
-Për shërimin e fëmijëve shëndetligë, të dobët dhe verdhacakë, përdorni polenën e pishës. Për këtë merrni 1 lugë gjelle pluhur pishe dhe e përzieni me 1 lugë gjelle me mjaltë dhe me 1 filxhan kos. Kjo i jepet fëmijës së sëmurë ditën. Mjekimi vazhdon 4-5 javë rresht, derisa fëmija të përmirësohet.
-Merrni 1 kg e gjysmë dëllinjë dhe 4 litra e gjysmë uthull të fortë rrushi. I hidhni në një enë dheu. I lini për 40 ditë. Pasi kullohet, peshoni lëngun e mbetur dhe për çdo kg hidhni 3 kg mjaltë të pavënë në zjarr, ku lihet derisa të avullohet gjithë uthulla. Nga ky ilaç i jepet të sëmurit 40 ditë rresht nga 3 lugë esëll, duke e holluar 1 lugë të këtij ilaçi në 3 lugë ujë të ngrohtë.
-Merrni 1 gotë gjak nga bagëtia e porsatherur (të freskët). Për të shijuar këtë e përzieni me lëng mishi, mendër, rigon, majdanoz etj. Mjekimin vazhdojeni për 10-15 ditë.
-Anemiku duhet të konsumojë për 1 muaj çdo ditë 6 – 10 kokrra hurma të pjekura shumë 1 orë para ose pas buke.
-Merrni 1 kg thelpinj lajthie. I thërrmoni dhe i përzieni me 1 kg mjaltë. Çdo ditë merrni 3 – 4 lugë gjelle. Kjo bëhet për 30 ditë.