Kandidatja e PS, Mimi Kodheli ka komentuar deklaratën e Kryeministrit Rama ditën e djeshme ku rrëfeu njohjen e hershme me Kodhelin dhe tha se mahnitej kur ajo futej te shtëpia e prindërve të tij.
Kodheli ka qenë e ftuar në emisionin “Kjo javë” ku theksoi se ajo dhe Rama janë rritur me njëri-tjetrin, ndërsa shtoi se është kërkuar nga Edi Rama që të japë kontribut në PS, edhe pse ka kundërshtuar shumë figura të majta në qëndrimet që kanë mbajtur.
“Bëri edhe njëherë shaka kryeministri. Prindërit kanë qenë miq, ne jemi të një moshe, e kemi parë njëri-tjetrin duke u rritur. Kemi 20 vjet që bashkëpunojmë, duke filluar nga Bashkia e Tiranës. Jam kërkuar prej tij, edhe pse kam kundërshtuar disa figura të djathta e të majta. Nuk më interesonte fillimisht politika, bëja profesionin tim.
Kur jam futur në politikë, kisha realizuar të gjitha ëndrrat e mia. Ajo që na bashkoi ishte ndryshimi i Tiranës. Por, kam akoma shumë për t’i dhënë shoqërisë. Sa i përket Ditmir Bushatit, kam bashkëpunuar me të prej shumë kohësh. E vlerësoj Ditmirin për çfarë i ka dhënë politikës dhe Ditmiri duhet ta vlerësonte politikën, sepse ishte 6 vjet ministër i Jashtëm. Ditmirin e shoh aktiv në politikë”, u shpreh Kodheli.
Në lidhje me ftesën e Ramës për Bashën për një qeverisje të mundshme, Kodhelii nënvizoi se për hir të interesave të vendit do të bënte pakt edhe me djallin.
“Shqipëria nuk është i vetmi vend që konsumon të tillë retorikë në politikë. Do kisha bërë pakt edhe me djallin për hir të vendit, e jo më me kundërshtarin politik. PS ka treguar në më shumë se një rast se mund të ket6ë bashkëpunime në momente kardinale.
Nëse duhet që të hyjmë në koalicion, do të ishte mirë ta bënim, sepse Shqipëria kalon në moment kyç si hapja e negociatave, që dërgon në forcim të institucioneve. Momenti kyç duhet të fokusohet në bërjen në zgjedhjet e ndershme e të drejta. Ne kemi bërë koalicion me PD-në edhe më 2017. Merkel ka qeverisur me kundërshtarët dhe askush nuk i ka thënë absolutisht asgjë”, deklaroi Kodheli.