Kishte nevoj per leke se kishte borxhe punonjësi i bankës mashtron qytetaren dhe i merr 108 000 €

Një 32-vjeçar, ish-punonjës i një banke të nivelit të dytë në Tiranë, është arrestuar pasi nëpërmjet mashtrimit, duke shpërdoruar detyrën, i ka marrë shumën prej 108 000 euro një 54-vjeçareje.

Klevis Berberi, gjatë kohës që ka qenë punonjës i bankës ka marrë disa kredi të këqija si qytetar por edhe si punonjës. Për shkak të mosshlyerjes së tyre ai ishte shkarkuar nga puna.

Por pak muaj para se të shkarkohej ai kishte nisur planin për shlyerjen e kredive nëpërmjet mashtrimit të klientëve të bankës.

Për realizimin e planit të tij, ‘pre’ ka qenë qytetarja me iniciale F.M e cila kishte lënë si kolateral pronën (dyqan) me vlerë 108 mijë euro te një bankë e nivelit të dytë. Por ky i fundit përmes deklaratës noteriale të bankës, të cilën e kishte të falsifikuar, e ka kaluar pronën në emër të tij për të shlyer borxhet që i kishte bankës.

Këtë dyqan të tij tanimë, por të përfituar nëpërmjet mashtrimit, 32-vjeçari ia ka shitur sërish qytetares dhe ajo duhet të ishte pronarja e vetme. Por pas verifikimeve të noteres së 54-vjeçares ka rezultuar se deklarata origjinale që kishte banka ndryshonte nga deklarata e dorëzuar nga Klevis Berberi.

Ky i fundit ka pranuar në polici se ka kryer veprimin e falsifikimit të dokumentit. Hetimet e sektorit të Krimit Ekonomik janë në vijim për të parë nëse 32-vjeçari ka kryer të tjera skema mashtrimi me klientë të tjerë apo edhe nëse ka persona të tjerë të përfshirë.

Kallëzimi

Kallëzimi është bërë dy ditë më parë, më 10 qershor nga Mimoza Shehu me profesion notere. Shehu ka kallëzuar se në studion e saj noteriale kanë paraqitur një deklaratë për zhbllokimin e pronës ku ka dhënë pëlqimin banka *** dhe në bazën e kësaj deklarate të dorëzuar nga shtetasi Klevis Berberi është bërë akti i shitjes. Më pas nga banka në datë 09.06.2024 janë njoftuar se prona të ishte e bllokuar.

Pas verifikimit ka rezultuar se deklarata origjinale që ka banka, ndryshonte nga deklarata e dorëzuar nga shtetasi Klevis Berberi. Klevis Berberi ka pranuar veprimin e mësipërm. Policia po heton për të zbuluar personat e tjerë të përfshirë në sistemin bankar që kanë bërë këtë veprim.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, finalizuan operacionin “Banker”. Në kuadër të këtij operacioni u ndalua me iniciativë shtetasi K. B., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Mashtrimi” me pasoja të rënda, dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

32-vjeçari, nëpërmjet mashtrimit, duke shpërdoruar detyrën, i ka marrë shumën prej 108 000 euro shtetases F. M., 54 vjeçe, duke falsifikuar deklaratën noteriale të bankës me qëllim përvetësimin e kësaj shume dhe të pronës që do të blihej nga ajo. Pasi është nënshkruar akti notarial për blerjen e pronës, shtetasja F. M., duhet të ishte pronare e vetme e kësaj prone, ndërkohë që shtetasi K. B., ka shitur pronën që ka qenë e vendosur kolateral për llogari të një banke të nivelit të dytë. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.