Ushqimi është edhe marrëdhënie.
Ushqimi është emocion edhe kënaqësi. Ushqyerja nuk është një proces i thjeshtë fiziologjik, është më shumë, madje ka të bëjë me ekzistencën dhe të pranuarit e jetës. Një ushqyerje cilësore është kur e nxitim fëmijën të jetë protagonist i ushqyerjes së tij. Nëpërmjet ushqimit njeriu fillon ose jo të perceptojë jetën si kënaqësi që ja vlen të jetohet ose si vetmi dhe ankth.
Të gjithë kemi dëgjuar e dëgjojmë madje e përdorim shprehjen gjymtuese: “Kush mbaron i pari së ngrëni merr flamurin”! Kjo mënyrë të nxituri për të ngrënë që vjen nga kohë të shkuara dhe vazhdon të jetë prezent edhe sot, është shumë e dëmshme. Kjo nxitje për të ngrënën dhe shprehja “u ngopët”, tregojnë se ne ende vazhdojmë ti edukojmë fëmijët dhe tu kultivojmë mekanizmat e mbijetesës dhe jo të mirëqenies dhe shijimit.
Ne nuk kultivojmë kënaqësinë, por të ngopurin, që nuk ka të bëjë me shijen dhe cilësinë e ushqimit, por me urinë, me pasigurinë se mbase nesër nuk ka më. Kini kujdes prindër kur flisni për ushqimin, zgjidhini mirë fjalët dhe veprimet kur flisni apo ushqeni fëmijët. Ushqyerja është e lidhur direkt me mëndjen. Duhet shumë kujdes për këtë proces kaq kompleks.
Njeriu nuk është shishe që mbushet, por qenie e gjallë, madje më superiorja nga të gjitha gjallesat e tjera dhe për këtë arsye kërkon shumë kujdes dhe përzgjedhje të fjalëve e veprimeve. E ngrëna është e lidhur me ekzistencën dhe strukturat e para të vetëdijes për veten janë të lidhura me të.
Njohja e parë në këtë jetë, se ekzistojmë dhe jemi të mbrojtur, ndërtohen dhe organizohen pikërisht nëpërmjet ushqyerjes. Lira Gjika