Anticikloni i fuqishëm është zhvilluar mbi Evropën qendrore dhe veçanërisht në Evropën lindore dhe mbi rajonin tonë duke kushtëzuar stabilizim dhe kthjellim të motit.
Në anën tjetër larg në Mesdhe kemi ciklonin e “ngujuar” mes Spanjës, Francës dhe Italisë në Evropë dhe Algjerisë në Afrikën veriore.
Ky ciklon ka mbetur i ngujuar dhe i rrethuar nga masat anticiklonike dhe për këtë arsye ka reshje të shpeshta shiu në ishujt e Mesdheut dhe territorin italianë, por këto reshje nuk arrijnë në Ballkan shkaku i anticiklonit të fuqishëm në lindje të Evropës.
Situatë e ngjashme sinoptike na pret për disa ditë, por me afrimin e fundjavës një masë e re ajrore jo-stabile depërton nga Italia veriore në Mesdhe.
Kjo masë ajrore do të fillojë të depërtojë gradualisht në rajonin tonë duke kushtëzuar reshje lokale shiu fillimisht afër bregdetit dhe në bregdetin shqiptar e pastaj ndonjë rigë shiu pritet të kemi edhe në viset tona kontinentale krejt në fund të kësaj jave ose me fillimin e javës së re.
Temperaturat deri atëherë mbesin relativisht të larta për këtë periudhë kohore. Vetëm në ato rajone ku eventualisht mund të kemi krijimin e mjegullës së mëngjesit ose vranësirave të ulëta pritet të jetë ftohtë.