Edhe javën që vjen nxënësit e mësuesit e arsimit parauniversitar do të jenë në mësim për vitin 2022.
Nga 26 dhjetori shkollat do të mbyllen pasi do të nisin pushimet dimërore të cilat janë planifikuar nga Ministria e Arsimit të mbarojnë më 4 janar. Bashkë me fundjavat, të shtuna të dielat, 11 ditë do të zgjasin pushimet e festave të fundvitit në institucionet arsimore, për të rifilluar mësimi të mërkurën e 4 janarit.
Por këto nuk do të jenë pushimet e vetme në shkollat 9-vjeçare. Për herë të parë, ndryshe nga vitet e shkuara nxënësit e mësuesit në arsimin e detyrueshëm do të kenë edhe një javë më shumë pushim, pas periudhës së dytë mësimore nga data 3 deri në 9 prill.
Kjo periudhë është konsideruar e nevojshme për të marr energji të reja e për tu përgatitur për në vijim. Por që ky ndryshim në strukturën shkollore nuk prek gjimnazet ku do të kenë pushim vetëm gjatë festave të fundvitit.
Ky vit mësimor nisi në 12 shtator dhe do të mbarojë më 14 qershor, me përjashtim të maturave të cilat përfundojnë procesin mësimor në 31 maj dhe më tej do të zhvillojnë provimet e maturës shtetërore nga 1 deri në 30 qershor.