I veshur me një jelek kërkim-shpëtimi, Ali, i cili ishte i fejuar me Viamin e ndjerë e cila humbi jetën si pasojë e tërmetit të 6 Shkurtit me magnitudë 7.8 , vazhdon ende të kërkojë nën rrënoja.
Ai ka treguar për BBC News se si e gjeti trupin e Viamit. Ata ishin të dashuruar prej katër vitesh, por vetëm një javë para tërmetit ai e kishte bindur të atin të pranonte fejesën e tyre.
“Atë natë ne ishim ende duke i dërguar mesazhe njëri-tjetrit në WhatsApp deri vonë. Nuk mund të flinim,” thotë ai.
Rreth orës 04:00 ai ka marrë një mesazh nga Viam: “A je zgjuar? Pata një makth të çuditshëm.”
Ata ishin në mes të një videotelefonate kur toka filloi të dridhej.
“Sapo i kisha thënë se ajo nuk duhet të mendonte për atë ëndërr të keqe. Dhe pastaj i thamë njëri-tjetrit se e donim njëri-tjetrin. Ajo ishte ulur në shtratin e saj dhe qeshte e qetë,” kujton mes dhimbjes Ali.
“Pas toka filloi të dridhej, e pashë duke u përpjekur të vraponte, por telefoni i saj u përplas për mur dhe më pas videoja u ndërpre”, tregon ai për momentin kur u banesa e të fejuarës së tij u godit nga tërmeti.
Ali mundi të mbrohej duke u ulur nën tryezë në dhomën e tij.
“Kur mbaroi tërmeti, unë dola jashtë, e gjithë lagjja jonë u shkatërrua. Nuk më kujtohet se si eca në rrugën ku ajo jetonte.”
Kur ai arriti në bllokun e pallateve, një operacion i improvizuar shpëtimi i organizuar nga fqinjët ishte duke u zhvilluar. Ai thirri miqtë për t’u bashkuar me ta. Kaluan orët dhe asnjë ndihmë zyrtare nuk erdhi. Ali thotë se ai dhe miqtë e tij janë nga zonat e Sirisë që janë bombarduar shpesh nga forcat qeveritare siriane gjatë luftës, kështu që ata tashmë kanë pasur disa trajnime dhe përvojë në kërkim-shpëtim.
“E gjithë bota erdhi për të ndihmuar Turqinë, dhe falënderoj Zotin që Turqia është një vend i fortë vetë. Por për Sirinë? Nuk dua të flas për politikë, por nga pikëpamja humanitare, ne nuk kemi as energji, as ujë të pastër, madje as shtëpi.”
Pas tetë ditësh kërkime, Ali gjeti trupin e të dashures së tij Viam. Ajo kishte përqafuar vëllain e saj Muhamedin kur gjeti vdekjen. Me dhimbjen për humbjen e njeriut të tij të zemrës, me një grup prej 15 shokësh sirianë, Ali po punon për të gjetur familje të tjera siriane.