I vjedhin celularin, policia gjen telefonin, por shiikoni se ku i humb perseri

Në redaksinë e emisionit “STOP” në Tv Klan ka mbërritur denoncimi i qytetarit nga Vora Adem Sherra, të cilit më datë 25 Gusht 2021 i është vjedhur celulari, teksa priste autobusin e linjës Vorë-Tiranë në rrugën “Mine Peza”.

Sherra tregon se fillimisht ka bërë denoncim në komisariatin e Vorës e më pas një punonjës me emrin Ladi e ka telefonuar, për t’i thënë, se celulari është në prokurori. Nuk ka mjaftuar hera e parë as e dyta, por e treta që Sherra të arrijë të komunikojë me prokuroren Ornela Rrumbullaku për situatën dhe problemin e tij.

Me shpresën se kjo do të ishte vizita e tij e fundit nëpër komisariate dhe prokurori, zoti Sherra merr një përgjigje të pazakontë nga prokurorja e cila i tregon se telefoni ka humbur, pasi në zyrë kanë qenë dy prokurorë të tjerë dhe është bërë ngatërresë me disa dokumente.

“Në 25 Gusht 20121 më vjen hajduti drejtpërdrejtë, unë thashë ose është i sëmurë ose është i luajtur mendsh edhe m’u afrua më mori telefonin, bëj pesë hapa unë ai i kishte bërë pesëmbëdhjetë iku. Unë isha te rruga “Mine Peza” tek stacioni i autobusit. E mori autobusin dhe iku. Erdha në Policinë e Vorës, e denoncova dhe tha nuk denoncohet këtu, denoncohet atje ku ta kanë vjedhur. Atje nuk shkova më, tek rajoniNnr.3., më duket se kam marrë 129, ajo duhet të ketë raportuar, ose ka raportuar policia e Vorës. Më mori në telefon oficeri i policisë, edhe shkova atje, më tha o xhaxh telefonin e ke këtu, edhe më tha që do ta marrësh shumë shpejt. Mbajti numrin e telefonit. Unë prit se po bie telefoni, prit-prit-prit shkoi shumë kjo punë edhe u detyrova të shkoj vetë, nuk e mbaj mend çfarë date, por mbas një muaji ose dy muajsh, edhe thanë oficeri ka ikur. I pyeta ku ka shkuar? Më thanë tek Kinostudio rajoni Numër 4 është. E mora në telefon më tha e ke në prokurori te Prokurorja Ornela Rrumbullaku. Kam shkuar, kam takuar prokuroren dhe më tha që telefoni ka qenë këtu, kemi qenë dy prokurore dhe telefoni është ngatërruar me dokumente dhe e ka marrë ajo me vete, por nuk është kapur hajduti”, tha Sherra.

Kaluan dy muaj dhe telefoni ndodhej akoma në zyrën e prokurorit të panjohur, i cili siç pretendoi edhe prokurorja Rrumbullaku, kishte marrë gabimisht celularin e zotit Sherra në vend të dokumenteve që ndodheshin në zyrën e saj.

Pas shumë ecejakeve në kërkim të telefonit që u pa për herë të fundit në zyrën e prokurores, zoti Sherra telefonon emisionin “STOP” për të mësuar të vërtetën e kësaj ngjarjeje të pazakontë.

“Kam marrë numër të ri. I kam kërkuar të gjitha, telefonin, kartën, numrin, dhe kur vjen puna mua asnjë gjë nuk më kanë zgjidhur, prandaj telefonova emisionin “STOP” që ju ta zgjidhni këtë problem. 160 mijë e kam marrë telefonin dhe vazhdoj të paguaj kredinë çdo muaj”, tha Sherra.

Kamera e Stop shkon tek prokuroria për të mësuar se ku përfundoi ky celular, të cilin zoti Sherra prej dy muajsh është duke e kërkuar, teksa vazhdon të shlyejë kredinë e blerjes.

Ditën e parë dhe të dytën, prokuroja Ornela nuk ndodhej në zyrë.

Qytetarja – Si kaluat? Prokurore Ornela Rrumbullaku, të lutem!

Informacioni – Ornela! Ke lënë takim?

Qytetarja – Jo s’kam lënë, dua ta takoj pak!

Informacioni – S’është lart.

Qytetarja – Nuk është?

Informacioni – S’e kam pa fare sot.

DITA E DYTË

Qytetarja – Si kaluat? Prokuroren Ornela Rrumbullaku, të lutem!

Informacioni –Ke lënë takim?

Qytetarja – Jo, jo, po kam qenë dhe dje, që kam pyetur këtu dhe s’e kam gjetur.

Informacioni –Jo, jo, ka lëviz.

Ballafaqimi me prokuroren duket se është i pamundur, pasi herën e tretë gazetares i kërkuan të dhëna sensitive për ta takuar.

DITA E TRETË

Qytetarja – Mirëmëngjesi!

Informacioni –Urdhëro!

Qytetarja – Prokuroren Ermonela Rrumbullaku doja të takoja pak të lutem!

Informacioni –Të ka thirrur?

Qytetarja – Jo, jo, thjesht po e kërkoj, kam nja 3 ditë, që e kërkoj.

Informacioni –Jo! Prokurorja takohet në dy mënyra. E para, kur ju thërret vetë me ditë dhe me orë. E dyta, mund t’i drejtoheni me kërkesë! Do t’a bashkëshoqëroni kërkesën me fotokopje karte ose pasaportë! Emër, mbiemër, ka vende, firmë, numër telefoni!

Qytetarja – Ma jep t’a shikoj të lutem!

Informacioni – Dhe një fotokopje karte dhe do t’a hidhni te njëra nga ato dy kutiat e verdha atje, që është kërkesë-ankesat, ose mund ta çoni me postë!

Qytetarja – Faleminderit!

Informacioni –Asgjë!

Kërkesa shkoi në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ana e emisionit “STOP” tek prokuroria e çeshtjes, për të patur një përgjigje se çfarë ka ndodhur me celularin e zotit Adem Sherra dhe ku ka përfunduar, teksa duhet theksuar se për herë të fundit u pa në zyrën e prokurores Rrumbullaku. /tvklan.al