Ylli Visoka është një sipërmarrës vetëm 28-vjeçar që është kthyer në burim frymëzimi për të gjithë pasi në vetëm 9 muaj, ai ka humbur plot 60 kg. Në një lidhje me Skype nga Kosova për “ABC e Mëngjesit”, Ylli foli për stilin e jetesës dikur, duke zbuluar se hante vetëm ushqime të shpejta si pica, fast-food dhe ëmbëlsira.
Ai tregoi se vendosi të ndryshojë jetën e tij, pasi nuk kishte rezultate në punë dhe shumë shpejt priste të bëhej baba.
“Në moshën 6-vjeçare mua më shtypu një veturë. Më tërhoqi zvarrë diku 30 metra. Ishte një fqinja ime që më shpëtoi dhe më dërgoi në spital. Me ndihmën e Zotit u shërova, por familja ime më vonë, ngaqë isha djali më i madh, shtoi përkujdesjen në mënyrë të tepruar dhe më jepnin vetëm çokollata e pije.
Në fillim nuk e kam pasur problem peshën sepse isha mësuar me të. Mëngjesin e filloja me kafe dhe ëmbëlsira, si torta, dhe nuk haja ushqim deri në orën 1 ose 2 të drekës. Mandej, haja ushqim të pakontrolluar, ushqime të shpejta, duke menduar që janë të mira. Edhe në darkë përdorja ushqime të shpejta si fast-food dhe pizza.
Energjia ishte shumë e ulët, nuk po ndihesha mirë. Performanca ime në punën që bëja prej më shumë se 10 vitesh, ra. Bëja dhe gabime në punë, nga kequshqyerja. Nuk isha i përqendruar sa duhej dhe lodhesha më shpejt se të tjerët.
Një ditë u takova me një shokun tim, trajner, të cilin e përshëndes shumë. Erdhi koha që unë të ndryshoj dhe mora një vendim. Fillova të bisedoj me të dhe të bëja pyetje si t’ia dilja mbanë. Duhet të usha për veten dhe fëmijën tim sepse për pak muaj, prisja të bëhesha baba”, -rrëfeu Ylli.