Ka humbur jeten profesoresha e njohur e muzikës, figura e shquar e kulturës shqiptare, Seniha Spahiu.
Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët. “Me dhimbje dhe pikëllim të thellë njoftojmë farefisin, miqtë dhe dashamirët se me datë 01.10.2022, në moshën 86-vjeçare ndërroi jetë më e dashura jonë: prof. Seniha (Islami) Spahiu 06.07.1936 – 01.10.2022”, thuhet në njoftim.
Seniha Spahiu ishte pedagoge, studiuese e edukimit muzikor. U lind në Prishtinë, mësimet për muzikë i mori në Shkup, ku kreu dhe studimet nga pedagogjia muzikore. Sipas biografisë së saj në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, botuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, Spahiu i kreu studimet e magjistraturës në Akademinë e Muzikës në Beograd për metodikë të mësimit të muzikës.
Për gjysmëshekulli qe pedagoge në të gjitha nivelet arsimore. Ishte mësimdhënëse në shkollën fillore “Liria” në Prishtinë dhe drejtuese e korit të shkollës, më pas profesorëshë e metodikës së muzikës në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, pastaj në Fakultetin e Arteve si ligjëruese, e docente dhe profesoreshë nga viti 1987. Pas pensionimit (1991) vazhdoi punën në Fakultetin e Arteve dhe më 2002 u emërua “Profesore Emeritus”. Organizoi dhe udhëhoqi studimet pasuniversitare në periudhën 1998- 2011. Është bashkautore dhe autore e teksteve për parashkollorë dhe e teksteve të muzikës për disa klasa të shkollës fillore, si dhe autore e tekstit universitar “Metodika e mësimit të muzikës” (2009). Është marrë me studime kërkimore-profesionale për çështjet nga fusha e mësimdhënies së muzikës, që përfshijnë një sërë punimesh, si dhe këngë korale dhe për fëmijë. Publikimet e saj profesionale janë botuar në revista të ndryshme profesionale-shkencore. Është anëtare e Shoqatës se Kompozitorëve të Kosovës (nga 1980) dhe kryesoi Shoqatën e Pedagogëve Muzikorë te Kosovës. Në vitin 2016 iu nda çmimi kombëtar për veprimtari jetësore, “Niketë Dardani”.