Andreina Çela është nëna e prekur nga kanceri, që ka hequr dy gjinjtë. Ajo ka një shpirt luftarak dhe këtë gjë e ka treguar edhe gjatë një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”.
Andreina ka thënë se është një tip i fortë dhe kjo e ka ndihmuar që të përballojë të gjithë këtë ngjarje të rëndë që i ndryshoi jetën brenda një viti. Ajo madje ka theksuar se ka pasur raste që i ka dhënë kurajo dhe babait e bashkëshortit të saj, pasi u bën shumë të ndjeshëm gjatë kohës që Andreina kryente kimioterapitë.
“Unë kam qenë një tip i fortë, por jo kaq, një forcë që unë tani mund të përballojë çdo gjë. Nuk merresh më me vogëlsira dhe me gjëra të vogla, apo me dhimbje të vogla në trupin tënd, por çdo gjë është kalimtare. Edhe realisht unë këtu kam kuptuar që e rëndësishme është të kemi një psikologji të fortë se çdo gjë tjetër është kalimtare.
Patjetër mbështetje shumë të madhe më ka dhënë bashkëshorti dhe prindërit, por ndonjëherë ndodhte e kundërta sigurisht isha unë që i jepja forcë atyre. Ata prekeshin në një situatë timen sepse kimioterapia ka efekte anësore. Në ato momente isha unë që i jepja forcë, i thosha çfarë keni, do kaloj, nuk ka asnjë lloj problemi, kjo është mëse normale, do kaloj.
Unë dilja para pasqyrës dhe motivoja veten, i thoja: ‘Je e bukur’. Tani kam vendosur të zgjasë flokët, pasi unë jam tipi i vajzës me flokë të gjata. Kam bërë disa foto me flokë të shkurtra që t’i ruaj”, tregoi ndër të tjera ajo.