Historia që të mbush sytë me lot, nënë e bijë bashkohen pas 36 vitesh

Rubrika “Ka një mesazh për ty”, tek “E diela shqiptare” solli sot historinë e Danitës. Ajo tregoi se kur ishte 17 vjeç zbuloi se ishte e adoptuar dhe iu lut mamasë që e kishte rritur t’i tregonte të vërtetën për mamanë biologjike, por ajo gjithmonë refuzonte. Ndërkohë edhe nëna e saj biologjike, Fatbardha kishte kërkuar ndihmën e emisionit për ta gjetur të bijën.

Fatbardha tregoi në studio se pasi e lindi vajzën e saj, në 20 Gusht në 1983 vendosi ta çonte në shtëpinë e fëmijës, sepse familja e saj nuk e pranonte dhe i dashuri e kishte braktisur. Ajo tregoi se jeton e vetme në Greqi dhe nuk është martuar.

Kur Ardit Gjebrea i tha Fatbardhës se ata e kanë gjetur vajzën, ajo u emocionua dhe nuk mundi t’i mbajë dot lotët. Nënë e bijë panë njëra-tjetrën pas 36 vitesh dhe u përqafuan mes lotësh.