Nga Santana Çomora
Çanta është një nga aksesorët më të dashur për femrat. Shumë përdorimëshe, lëkurë apo në materiale cope ekzistojnë shumë tipologji formash dhe përmasash, që i lejojnë femrave të krijojnë me dhjetëra kombinime me veshjet e tyre, duke shpalosur fantazinë dhe duke shprehur në një farë mënyre dhe një pjesë të karakterit të tyre.
Çantat artizanale janë rikthyer në modë dhe nuk kanë asnjë gjë më shumë apo më pak se ato të markave të njohura. Marsela Meçani është vajza nga Durrësi, por që jeton në Gjermani, e cila për orë të tëra punon me shumë dashuri këto lloj çantash, unike në dizajn.
Që e vogël ajo ka qenë e pasionuar pas së bukurës dhe modës. Fati e deshte që këtë pasion ta lidhte me një nga vendet më fashion të Italisë, siç është Milano, për të studiuar financë dhe për ta quajtur këtë vend si shtëpinë e saj. Për një periudhë punon në kompaninë e stilistit Jil Sander në profesionin që kishte mbaruar shkollën, por më pas pasioni doli në sipërfaqe dhe në 2014 nisi të krijonte çantat e para.
Misioni i saj është të ndajë lumturinë tek të tjerët nëpërmjet artit të saj. Çantat e punuara nga Marsela Meçani,janë sinonim i elegancës, përsosmërisë, kurimit të materialit dhe mbi të gjitha ekskluzivitetit, duke i dhënë femrës nota feminiliteti. Ato mund t’i gjeni në dy dyqanet e saj në Ibiza, të cilët janë kthyer në më të vizituarit prej turistëve nga e gjithë bota.
Po përse duhet të kemi një çantë të personalizuar e të punuar me dorë?
Së pari, një femër me një çantë të tillë bie më shumë në sy, duke u bërë unike dhe e rëndësishme, në të njëjtën kohë. Raporti i mirë mes cilësisë dhe çmimit. Çanta të tilla kushtojnë më pak se ato të markave të famshme, por janë krijuar me shumë dashuri e përkushtim dhe së fundmi janë menduar që t’i rezistojnë kohës. Duke qenë se janë shumë përdorimëshe, ato mund të përdoren nga çdo femër duke u mbajtur në çdo orë të ditës.