Ekspertja e Institutit të Shëndetit Publik, si dhe zv.ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini tha sot se deri në fund të muajit maj pritet një lehtësim i masave.
Ajo nuk dha detaje, lidhur me disa nga opsionet që po diskutohen siç janë ndryshimi i orarit policor, hapja e disa aktiviteteve të palejuara deri tani, apo edhe mos-përdorimi i maskës.
“Nga fundi i majit pritet të ketë lehtësi masash. Mes ekspertëve po diskutohet si për orën policore, ashtu dhe për lehtësim masash për bizneset”, theksoi Tomini.
Megjithatë noa.al ka.mësuar variantin që është pranuar më shumë për miratim. Propozohet shtyrja deri në orën 24.00 e ndalimqarkullimit dhe orarit të lejuar të njësive tregtare, bareve dhe restoranteve.
Propozohet po ashtu që të anulohet vendimi pa afat i tetorit 2020 për maskën e detyrueshme jashtë shtëpisë. Në fuqi mbetet mbajtja e maskës në mjedise të mbyllura dhe aty ku nuk sigurohet dot distanca fizike prej 2 metrash.
Gjithsesi duket se vendimi do të jetë vetëm formal pasi nga një vëzhgim që noa.al ka bërë në Tiranë dhe rrethe, fare pak njerëz, kryesisht të moshuar, mbajnë ende maskë në mjedise të hapura.
Lidhur me shtetrrethimi, skenari është për një provë 30 ditore gjatë muajit qershor dhe nëse nuk ka shtim vatrave infeksioni Covid-19, mund të hiqen tërësisht kufizimet, por vetëm për periudhën korrik-gusht 2021, ashtu sikundër paralajmëroi më herët ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në takim me bizneset turistike.
Komiteti Teknik i Ekspertëve i cili duhet të mblidhet çdo dy javë, për herë të fundit doli në 5 maj 2021.
Priten shumë vaksina turko-kineze, futen dhe moshat nën 60 vjeç
Lidhur me procesin e vaksinimit, Eugena Tomini tha se vaksinat kineze që mbërritën një ditë më parë do të përdoren vetëm për personat që do të marrin dozën e dytë.
“Dozat e tjera të vaksinave kineze që mbërritën dje do të përdoren me një kalendar të veçantë. Ato do të përdoren vetëm për injektim të dozës së dytë.
Zonja Tomini tha se vaksinat e tjera që priten në ditët në vijim do të përdoren për personat nën 60 vjeç.
“Në ditët në vijim pritet të vijnë të tjera vaksina kineze, stoku i tyre do të përdoret për të nisur vaksinimin për qytetarët nën 60 vjeç”, tha ajo duke bërë të ditur se priten rreth 500 mijë doza të tjera të llojit CoronaVac, gjithsesi prodhim turk Corona Suspension me formulën e Sinovac.
Tomini dha edhe disa statistika:
Deri tani janë vaksinuar 23 % e popullsisë, ndërsa 11 % e tyre kanë marrë të dyja dozat.
Në spitalin pediatrik janë dy fëmijë të shtruar me Covid.