Jo vetëm për naftën, por shqiptarët po paguajnë dyfish edhe për ushqimet. Pavarësisht rritjes, frutat dhe perimet janë ende të përballueshme për qytetarët, ndërsa shtrenjtimin më të fortë e kanë pësuar produktet e shportës.
Për pensionistët dhe kategorinë në nevojë çmimet janë stratosferike, ndaj qytetarët shprehen se po konsumojnë më pak.
Edhe mbështetja e parashikuar nga qeveria përmes paketës së rezistencës sociale për ta duket e pamjaftueshme deri në tallje.
Sipas tregtarëve përgjatë këtij muaji ka patur një rritje tjetër prej 20 deri në 50 lekë në produktet kryesore si veza, qumështi, sheqeri, mielli dhe makaronat. Ndërkohë, një litër vaj luledielli apo misri kushton më shumë se një litër vaj ulliri, ku edhe pse në ofertë ai tregtohet deri në 445 lekë.
Të dhënat e INSTAT për muajin Maj 2022 deklarojnë se inflacioni arriti në 6.7%, një ndryshim me 1.9% krahasuar me një vit më parë dhe niveli më i lartë në këto 20 vitet e fundit. Krahasuar me muajin maj 2021, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin transport. Me 21,7 % pasuar nga ushqime dhe pije joalkoolike me 11,4 %. Krahas krizës së shkaktuar nga lufta, kostot e disa produkteve në raftet e marketeve po rriten dhe për shkak të rritjes së çmimit të plastikës ambalazhuese.
Share this: