Fshatrat Sheuc dhe Rakickë ndodhen në parkun kombëtar të Prespës. Të dyja fshatrat janë të rrethuara nga një natyre mahnitëse, por jo e tillë është jeta që bëhet aty.
Rrugë të heshtura, të rinj të larguar në emigrim e vetëm hapa të moshuarish dëgjohen në këto dy fshatra.
Vite më parë në fshatin Rakickë, numëroheshin mbi 400 familje, ndërsa sot banorët e këtij fshati thonë se kanë mbetur shumë pak shtëpi të banuara.
Të vetmit njerëz që gjendeshin në fshat ishin këta dy të moshuar.
“Këtu fshati ka qenë i madh, por me fillimin e demokracisë për një jetë me të mirë njerëzit ikin, shumica kanë ikur në emigracion çuna te rinj. Këtu ka pasur 1100 frymë, sot janë rreth 120 frymë, kontradiktë e madhe”, thotë një i moshuar.
E njëjta panoramë shfaqet edhe në fshatin ngjitur, në Shuec. Ata pak të rinj janë larguar drejt Greqisë për të punuar.
“Të rinjtë janë në emigracion, kanë ngelur vetëm dy-tre veta. Ikin se s’kanë ç’të bëjnë. Të mbjellim bëjmë vetëm për vete, jo për treg. Grurë, misër, nuk del dot në treg. Nuk sheh asnjë shpresë”, shprehet një tjetër.
“S’ka të rinj, janë larguar, kanë iku punojnë jashtë Shqipërisë. Ikin të fitojnë para, të jetojnë. Këtu nuk jetohet se s’ka të ardhura, s’ka punë”, thotë një e moshuar.
Dyer të mbyllura, shtëpi të boshatisura, mjete bujqësore të fikura, kjo është pamja e këtyre dy fshatrave.