Fshati Gumenicë i Vlorës është drejt shpopullimit total për shkak të mungesës së investimeve.
Mungesa e një qendre shëndetësore, rrugës që lidh fshatin me qytetin, uji i pijshëm apo transporti publik, ka bërë që banorët të largohen nga Gumenica.
Ndërsa të rinjtë që janë ende në fshat nuk krijojnë dot familje, për shkak të gjendjes ku ndodhet fshati.
Fshati Gumenicë ndodhet vetëm 30 kilometra larg nga qyteti i Vlorës. Por për të shkuar në këtë fshat është një sfidë më vete.
Rruga krejtësisht e amortizuar, ka bërë që fshati të mos ketë mjete të transportit publik.
Në fakt, janë vetëm 9 kilometra rrugë që kërkojnë rikonstruksion, me qëllim që banorët të kenë lehtësi për të dalë në rrugën e Lumit të Vlorës.
Mirëpo amortizimi i madh i këtij aksi, ka bërë që fshati të izolohet, madje tashmë po shpopullohet.
Nga 100 familje që jetonin dikur në fshat, aktualisht janë më pak se 40 të tilla, të cilat gjithashtu përballen me sfida të mëdha të jetesës në këtë zonë.
Problemet në fshat janë të mëdha, të cilat kryesisht vijnë për shkak të infrastrukturës së dobët. Një nga pasojat e mungesës së kushteve për jetesë normale në fshat, është dhe refuzimi i vajzave për t`u martuar me të rinj të Gumenicës.
Gjithashtu, në fshat mungon qendra shëndetësore, uji i pijshëm, apo dhe markete, për të ofruar shërbime për banorët që ende kanë mbetur në Gumenicë.