Babai i foshnjës së vdekur në Spitalin e Pejës ka rrëfyer se si e kishte parë një punëtor të spitalit duke mbledhur copat e trupit të foshnjës së tij.
Prindi ka deklaruar në rrëfimin e tij për indeksonline, se pasi e kishin marr lajmin për vdekjen e foshnjës kishin kërkuar nga stafi që t’ia dorëzonin trupin e pajetë. Ai thotë se stafi fillimisht kishin hezituar t’ua jepnin trupin e më pas i kishin thënë se do t’ua përgatisnin për ditën e nesërme.
“Foshnjën e kishin pështjell me çarçafë dhe e kishin vendos në një dhomë aty në spital. Kur shkuam nesër në mëngjes me marr foshnjën, ata i kishin kap çarçafët dhe nuk e kishin kuptu se foshnja është brenda dhe i kishin qu për pastrim në maqinë ku pastrohen çarçafët e spitalit”.
“Ne i shkuam prapa se e pamë që dikush po niset poshtë, më lindi pak dyshimi që o ka ndodh diçka. Pasi shkuam poshtë sigurimi e ka pa një person të spitalit aty duke i marrë copat e foshnjës dhe duke i shti në kese. Duke i mbledhë copë-copë. Mbetëm të shokuar, është rast që s’mujm me paramendu qysh ka ndodh. Vazhduam prapë nalt e lajmëruam policinë, erdhën policia në të njëjtën kohë motra kryesore insistojke na u lutke mos me thirr policinë, mos me bo këtë punë të madhe për arsye ndoshta ajo i din më mirë. Ne veq e lajmëruam rastin”, ka deklaruar prindi.
Ai ka thënë se nuk dinë më shumë detaje, përveç se foshnja ka vdekur dhe e kanë kryer procesin e varrimit. Ai dyshon se neglizhenca totale në këtë rast i përket repartit të gjinekologjisë në Spitalin e Pejës.
Për këtë rast Spitali i Pejës ka njoftuar se janë shkarkuar 7 punonjës, ndërsa Policia e Kosovës ka njoftuar se janë duke u zhvilluar hetime.
Rasti ka ndodhur më datën 13 dhjetor por ndonëse menaxhmenti i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar dhe Ministria e Shëndetësisë ishin në dijeni, rasti ishte mbajtur i fshehtë deri më sot pas publikimit të rrëfimit të babait. Deri më tani nuk ka asnjë përgjegjësi dhe sqarim nga këto dy institucione. /Gazeta Shneta/