Që dhimbja e mesit të kalojë, mund të mjaftojnë, në rastin më të mirë vetëm pak ditë, por nëse gjendja është serioze, do të duhet që deri në rikuperimin e plotë të kalojnë disa javë.
Mjeku ortoped traumatolog, Ervin Priftaj, përmes një interviste dhënë për gazetën, bën me dije shenjat me të cilat manifestohet dhimbja e mesit, shkaktarët si edhe skemën e trajtimit.
Ndodh, në jo pak raste, që njerëzit ankohen për dhimbje të mesit, nga se vjen kjo dhe cilat janë shenjat tipike?
Pjesa më e madhe e popullatës e kanë përjetuar të paktën njëherë dhimbjen e mesit. Shkaqet e dhimbjes së mesit janë të shumta dhe të shumëllojshme. Shumë prej tyre janë vetëshkaktuese, si pasojë e mënyrës së jetesës ose zakoneve të kë- qija gjatë qëndrimit ulur. Shkaqe të tjera përfshijnë aksidentet, tërheqjet muskulore ose problemet e ndryshme të kolonës. Megjithëse shkaqet mund të jenë të ndryshme, ato mund të kenë shenja të njëjta klinike. Shenjat klinike përfshijnë: dhimbje të vazhdueshme dhe ngurtësim i shpinës, prej qafës e deri te mezi; dhimbje e fortë dhe e lokalizuar në pjesën e shpinës, veçanërisht pas ngritjes së një objekti të rëndë ose veprimtarive fizike (dhimbja e shpinës në pjesën e sipërme te shpatullat ose rreth e rrotull tyre mund të jetë edhe shenjë e atakut kardiak); dhimbje kronike në pjesën e mesme ose të poshtme të shpinës, sidomos pas një qëndrimi të gjatë ulur ose në pozicion pa lëvizur; dhimbje e mesit që përhapet në pjesën e të ndenjurave, nga kofshët ose pjesën e kërcirit deri te gishtat e këmbëve; paaftësi për të qëndruar drejt pa patur dhimbje mesi ose spazma muskulore. Duke qenë se disa simptoma të dhimbjes së mesit janë të ngjashme me ato të sëmundjeve të tjera serioze, është e rëndësishme të kontrolloheni te një mjek. Çdo mpirje dhe dobësi në këmbë, problem i fshikëzës së urinës apo zorrëve, mund të jetë shenjë e dëmtimit të nervave dhe ka nevojë për vëmendje mjekësore imediate.
Për të mos lejuar përkeqësimin e situatës, kur duhet të drejtohemi te mjeku për trajtim të specializuar?
Është e udhës të konsultoheni me mjekun në qoftë se ju ndieni mpirje, ndjesinë e shpimit ose dobësi në anësitë e poshtme, pasi kjo tregon që keni probleme me shpinën dhe duhet të kërkoni ndihmë. Nëse dhimbja në shpinë shtrihet poshtë në anën e pasme të këmbës, ju mund të jeni duke vuajtur nga dhimbje të nervit shiatik. Nëse dhimbja rritet kur ju kolliteni ose përkuleni përpara, kjo mund të jetë shenja e hernie diskale. Sakaq, kur dhimbja shoqërohet me ethe, djegie gjatë urinimit ose urinim të shpeshtë, dhe/ose urgjent, ju mund të keni infeksion. Në këto raste rekomandohet të kontrolloni zorrët ose fshikëzën tuaj, kërkoni ndihmë të menjëhershme mjekësore. Të tjera shenja ose ato që quhen “flamuj të kuq” që mund të tregojnë për një problem serioz që fshihet prapa dhimbjes përfshijnë: një histori kanceri, humbje e pavullnetshme e peshës, ju keni qenë me steroide ose medikamente që dobësojnë sistemin tuaj imunitar, një histori traumash, dhimbje që po përkeqësohet dhe nuk përmirësohet pasi të pushoni, dhimbje që ka zgjatur më shumë se një muaj, dhimbje gjatë natës, nuk reagon ndaj terapive të mëparshme të dhimbjes së shpinës apo një histori e përdorimit të drogës. Shiatiku është një lloj i zakonshëm i dhimbjeve që prekin nervin shiatik, një nerv të madh, i cili shtrihet nga pjesa e pasme e mesit deri në pjesën e poshtme të këmbës.
Si mund të kuptohet që dhimbja është shkaktuar nga nervi shiatik, pra cilat janë shenjat tipike?
Simptomat e zakonshme të nervit shiatik përfshijnë: dhimbje të mesit, dhimbje në pjesën e pasme ose në këmbë, që përkeqësohet kur uleni, dhimbje në ije, djegie ose pickim në pjesën e poshtme të këmbës, dobësi, mpirje ose vështirësi në lëvizjen e këmbës, një dhimbje konstante në njërën anë nga të pasmet, një dhimbje e fortë që e bën të vështirë qëndrimin në këmbë. Nervi shiatik, zakonisht, prek vetëm njërën anë të pjesës së poshtme të trupit. Shpesh, dhimbja shtrihet nga pjesa e poshtme e mesit përgjatë pjesës së poshtme të kofshës dhe poshtë në këmbë. Në varësi se ku është i prekur nervi shiatik, dhimbja mund të zgjerohet deri në pjesën e shputës së këmbës. Për disa njerëz, dhimbja nga nervi shiatik mund të jetë e rëndë dhe dobësuese. Për disa të tjerë, dhimbja e nervit shiatik mund të jetë jo frekuente dhe irrituese, por ka potencial të përkeqësohet. Kërkoni urgjentisht ndihmë mjekësore nëse ndjeni dobësi progresive në mesin tuaj, mpirje në pjesën e sipërme të kofshës ose/dhe humbje të kontrollit të fshikëzës urinare.
Të mbetemi te nervi shiatik, doktor, çfarë e shkakton atë?
Nervi shiatik shkaktohet nga irritimi i rrënjës(ve) së mesit të poshtëm dhe shpinës lumbosakrale. Shkaqe të tjera përfshijnë: stenoza e shtyllës kurrizore (ngushtimi i kanalit kurrizor në pjesën e poshtme të shpinës); sëmundje degjeneruese e diskut (ndarja e disqeve, të cilat veprojnë si mbrojtëse midis rruazave; spondylolisthesis (një gjendje në të cilën një vertebër rrëzohet përpara një tjetre); shtatzënia; Spazma e muskujve në shpinë ose vithe. Të tjera gjëra, që mund ta përkeqësojnë dhimbjen e mesit përfshijnë: të qenit mbipeshë, moskryerja e aktivitetit fizik të rregullt, veshja e takave të larta ose fjetja në një dyshek shumë të butë. Dhimbja e mesit është një fakt jetësor. Pothuajse çdokush do të vuajë prej saj herët a vonë. Një nga shkaqet kryesore të dhimbjes së mesit, akute ose kronike, është tendosja e mesit poshtë.
Çfarë është tendosja e mesit poshtë?
Një grup muskujsh dhe ligamentesh në shpinën tuaj mbajnë në vend kockat e shtyllës kurrizore. Ju mund t’i tendosni këto muskuj duke i tërhequr shumë fort, duke shkaktuar dëmtim në inde. Kështu, muskujt dobësohen dhe nuk janë të aftë të mbajnë siç duhet kockat e shtyllës kurrizore në vend. Shpina bëhet më pak e qëndrueshme, duke shkaktuar dhimbje të mesit. Dhe për shkak se nervat shtrihen nga palca kurrizore në të gjithë trupin, tendosja e mesit poshtë mund të shkaktojë dhimbje në zona të tjera përveç shpinës. Tendosja e mesit poshtë mund të shkaktohet nga: tensioni fizik ekstrem; rënia; rë përkulesh ose ulesh në mënyrë të përsëritur; ngritja e objekteve të rënda, nëse nuk jeni në formë. Mbani mend se tendosja e mesit nuk mund të fajësohet për të gjitha dhimbjet e shpinës. Ka shumë shkaqe të tjera, si disqet e rrëshqitura, thyerjet, nervat e prera, artriti, infeksionet dhe tumoret.
Si mund të parandalohet dhimbja e mesit?
Për të parandaluar dhimbjen e mesit, duhet të mos nënvlerësohen disa nga rekomandimet bazë. Kështu, nëse ndieni dhimbje mesi gjatë aktivitetit fizik, ndaloni. Nëse ndieni dhimbje mesi disa ditë pas stërvitjes, bëni pushim disa ditë. Mbajeni në formë shpinën. Stërvitini dhe tërhiqini muskujt e shpinës vazhdimisht. Shmangni fjetjen me bark. Flini anash ose me kurriz dhe vendosni një jastëk nën ose midis këmbëve. Kur të ngrini diçka të rëndë, përkulni gjunjët, jo mesin. Humbni peshë nëse jeni mbipeshë. Mbani një pozicion të mirë të trupit. Uluni drejt në karrige, me shpinën të mbështetur në karrige.
Cili është trajtimi që vjen në ndihmë?
Dhimbja e shpinës mund të jetë një dëmtim i dhimbshëm dhe depresionues. Por lajmi i mirë është se në shumicën e rasteve shërohet vet, me kalimin e kohës. Për të shpejtuar shërimin ju duhet të: Vendosni akull në shpinë për të reduktuar dhimbjen dhe ënjtjen në momentin e dëmtimit. Bëjeni këtë gjë 20-30 minuta çdo 3-4 orë, për 2-3 ditë. Gjithashtu, mund të vendosni akull në shpinë pas çdo aktiviteti fizik. Vendosni diçka të nxehtë në shpinë, por vetëm pasi ta keni bërë me akull 2-3 ditë fillimisht. Përdorni nxehtësi në shpinë vetëm pasi të ketë ikur enjtja. Mund të përdorni një shishe me ujë të nxehtë ose të futeni në një vaskë me ujë të nxehtë. Merrni ilaçe kundër dhimbjes ose ilaçe të tjera, nëse jua rekomandon mjeku juaj. Ilaçet anti-inflamatore, jo-steroidale si Advil, Aleve ose Motrin do t’ju ndihmojnë për dhimbjen e shpinës dhe ënjtjen. Gjithsesi, këto ilaçe mund të kenë efekte anësore. Duhen përdorur vetëm me raste, ose më shpesh, nëse mjeku jua specifikon këtë gjë. Përdorni mbështetje. Pyesni mjekun apo terapistin tuaj së pari, por merrni në konsideratë marrjen e një rripi ose brezi për të shtuar mbështetjen për shpinën suaj. Përdoreni vetëm afatshkurtër ose për mbështetje me ngritje peshash të rënda ose të përsëritura. Bëni terapi fizike për të ndërtuar forcën, nëse mjeku juaj e rekomandon atë. Mos qëndroni në shtrat ose në kolltuk gjatë gjithë ditës. Kjo do ta përkeqësojë gjendjen. Mbani ton të mirë të muskujve në muskujt tuaj të barkut dhe të poshtëm. Pavarësisht se çka thonë njerëzit, regjimi i shtratit nuk funksionon. Njerëzit kanë besuar se trajtimi më i mirë për dhimbjen e mesit ka qenë të qëndroni shtrirë derisa dhimbja të kalojë dhe të ndiheni më mirë. Por studimet kanë treguar se kjo nuk ju ndihmon. Në fakt, pas pushimit një apo dy ditë, zakonisht rekomandohet të filloni aktivitetin e lehtë fizik.
Pyetja më e shpeshtë që mund të parashtrohet është se, kur do të përmirësohet dhimbja e shpinës, pra, sa kohë duhet për t’u larguar dhimbja?
Koha e shërimit varet nga sa serioze është dhimbja e shpinës. Rastet e lehta mund të rikuperohen në disa ditë. Mund të duhen disa javë për rastet më serioze. Kujtoni se çdokush ka ritëm të ndryshëm shërimi. Sapo dhimbja e mesit të largohet, doktori juaj, me gjasa, do t’ju këshillojë të filloni rutinën e rregullt stërvitore. Kjo do t’ju forcojë muskujt dhe do t’i bëjë ata më elastikë. Do t’ju ndihmojë të rikuperoheni dhe do të ulë shanset për dhimbje mesi në të ardhmen. Doktori, me gjasa, do t’ju sugjerojë të kryeni sporte me pak ndikim në mes si noti apo biçikleta e palestrës. Çfarë do që të bëni, mos i nxitoni gjërat. Mos u përpiqni t’i ktheheni nivelit të mëparshëm të aktivitetit deri sa: të mund të lëvizni lirshëm, si para dëmtimit, të mos ndieni dhimbje kur përkuleni, rrotulloheni, ecni, vraponi dhe kërceni. Nëse e nxisni veten shumë, para se dhimbja juaj e shpinës të jetë shëruar, mund të përfundoni me dhimbje kronike mesi dhe dëmtime të përhershme.