Nëse nje person ka shenja të infeksionit Covid-19, vetëm dita e pestë është e sigurt që tamponi i del pozitiv. Nëse e bëni në ditët para dhe pas, gjasat janë që tamponi të dalë negativ.
Pohimi erdhi sot nga epidemiologu Artan Simaku i cili shpjegoi të gjitha hapat që qytetarët duhet të ndjekin për të bërë tamponin për të zbuluar nëse janë apo jo të infektuar me Covid, nga Instituti i Shëndetit Publik.
Në një intervistë për Euronews Albania Simaku sqaroi se ‘nëse një qytetar ka shenja ose simptoma në lidhje me sëmundjen, ose do të telefonojë direkt numrin 127 ose do të lidhet me mjekun e familjes.’
Ai theksoi se ndjekja e pacientit bëhet nga mjeku i familjes, i cili përveç se e referon pacientin tek Njësia e Kujdesit të Shëndetit për marrjen e tamponit, i jep pacientit dhe trajtimin sipas gjendjes ku ndodhet.
Simaku sqaroi se përse tamponi merret me disa ditë vonesë, pas telefonatës së qytetarëve.
Epidemiologu sqaroi se tamponi duhet t’i merret qytetarëve të dyshuar si të infektuar në ditën e pestë të simptomave, pasi kjo siguron një shans më të lartë që tamponi të japë përgjigjen e saktë:
“Tamponi merret në ditën 4 ose të 5 sepse ndryshe del rezultat fals negativ.”
Lidhur me vendimin për karantimin apo rikthimin në punë të të infektuarve, Simaku sqaroi se i takon mjekut të familjes të vendosë për këtë gjë:
“Vendimi merret nga mjeku i familjes edhe të personit me simptoma edhe të familjarëve të tij. Mjeku i familjes jep vërtetimin për vetëizolim, karantinim ose rikthim në punë, në varësi të gjykimit të mjekut”, tha ai.
Qeveria shqiptare ndërkohë po mendon të mos ritestojë më tamponët pozitivë të bërë në klinikat private.
Deri tani, çdo tampon që rezultonte pozitiv në klinikat private, ribëhej në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik për të verifikuar rezultatin.
Por epidemiologu Artan Simaku deklaroi, të martën, se ekspertët po diskutojnë për të mos e bërë fazën e ritestimit të tamponëve. Ky është një vendim që do të merret në ditët në vijim.