E ndërsa ditët nxehen ka nisur edhe sezoni turistik, ku pushuesit zgjedhin bregdetin për të pushuar dhe kaluar fundjavën e tyre.
Mirëpo sot pushuesit janë përballur me ujërat e ndotur në bregdetin e Kunës në Shëngjin. Deti është mbuluar nga një lëndë vajore e verdhë.
Burime për media bëjnë me dije se kjo situatë vijon dy ditësh dhe nuk dihet çfarë mund të ketë shkaktuar.
Në lidhje me këtë ka reaguar edhe Përgjegjësi i sektorit të Mjedisit dhe Ujërave IKMT Lezhë, Gjergj Elezi.
Ai tha se dyshimet e para janë se është hedhur nga anija, teksa tha se ka njoftuar autoritet përkatëse dhe do vijojnë hetimet.
“Ne kemi njoftuar policinë, kapitenerinë, agjensinë rajonale të mjedisin që ka marrë kampionin se çfarë lënde mund të jetë hedhur në det. Dyshimet e para tonat se materiali duhet të jetë hedhur nga anijet sepse është ndotje e madhe që ka prekur të gjithë bregdetin e Shëngjinit. Kjo ndotje është shqetësuese dhe në aspektin vizual”, thotë përgjegjësi i sektorit të Mjedisit dhe Ujërave IKMT Lezhë.