Java e ardhshme do të sjellë dimrin e ftohtë në Shqipëri. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak në të gjithë vendin do të ketë reshje shiu të herëpashershme. Ndërkohë, e hëna dhe e enjtja do të shoqërohen me rrebeshe. Ndër të tjera, Shërbimi Meteorologjik Ushtarak thotë se shihet tendenca e ardhjes së rrymave më të ftohta nga veriu i Europës. Të enjten parashikohen gjithashtu reshje dëbore në veri e verilindje të vendit që përkojnë më dëborën e parë të këtij sezoni.
Dëbora do të prekë vendet me lartësi deri në 900 metra. Era e fortë është gjithashtu një tipar i motit që do të “mbërthejë” vendin tonë këtë javë. Në brigjet detare, ajo do të jetë e fortë kryesisht ditën e enjte duke sjellë dhe shtim të dallgëzimit deri në 5 ballë. Temperaturat pritet të jenë mjaft të ulëta dhe do të zbresin deri në dy gradë.