Ambasada e SHBA-së në Tiranë publikoi sot mesazhin e epidemiologes amerikane Melissa Perry, që aktualisht ndodhet në Shqipëri, e cila jep tre këshilla për të parandaluar infektimin nga COVID-19.
Përmes një videomesazhi, epidemiologia amerikane Melissa Perry, njëkohësisht profesore dhe drejtuese e Departamentit të Shëndetit Mjedisor dhe Profesional në Universitetin “George Washington”, tregon se si mund të përballohet situata nga COVID-19, që të mos kemi infektime, ose që të shmanget shtrimi në spital.
“Unë jam këtu në Shqipëri si pjesë e një burse të Fulbright për t’u përqendruar në shëndetin publik dhe jam një epidemiologe. Kam qenë më parë profesorë në Universitetin e Harvardit për 13 vjet dhe kam qenë në ‘George Washington’ për më shumë se 10 vjet.
Në fakt kam një lidhje të gjatë me Shqipërinë. Herën e parë që kam ardhur këtu ishte në 1998 dhe e kam vizituar shumë herë që atëherë, dhe në fakt takova burrin tim që është shqiptar, ai është nga Saranda.
E kam takuar në Boston dhe ne kemi më shumë se 20 vjet bashkë. Ne kemi dy djem që janë 13 dhe 8 vjeç dhe ata do ndjekin shkollën në Shqipëri gjatë vitit që do kemi këtu”, tha ajo.
Perry tha se ka punuar mbi COVID që në fillim dhe ndau disa pikëpamje me popullin shqiptar. “Është e rëndësishme të përmend se këto pikëpamje janë të miat, ato nuk janë të qeverisë amerikane apo të Ambasadës së SHBA në Shqipëri. Pikëpamjet që dua të ndaj kanë të bëjnë me pandeminë dhe me kohën e gjatë dhe të vështirë që po kalojmë”, tha ajo.
Në kushtet kur i gjithë globi ka përjetuar kaq shumë humbje, Perry tha se “edhe shqiptarët kanë sakrifikuar shumë”. “Unë i njoh shqiptarët, e di që ata janë zemërgjerë, i njoh ata si njerëz vërtet inteligjentë, shumë punëtorë, shumë mikpritës dhe njerëz vërtet të bukur, dhe ata meritojnë një jetë të gjatë dhe të shëndetshme. Dhe për të arritur atje dua të ndaj tre perspektiva, tre gjëra që të gjithë shqiptarët mund të bënin, që mund të bëjnë për të parandaluar COVID”, tha ajo.
Këshilla e parë është që duhet të vaksinohen. “Kur më pyesin se cila është vaksina më e mirë, vaksina më e mirë është e para në të cilën mund të keni qasje. Janë të miratuara, janë të vlerësuara me kujdes, janë të sigurta. Kam parë të dhëna të pavarura për të demonstruar se të gjitha vaksinat e disponueshme në Shqipëri janë të sigurta. Prandaj, merrni pak kohë për t’u vaksinuar vetë dhe gjithashtu familja juaj, për të mbrojtur të gjithë në familjen tuaj nga sëmundja. Nëse vaksinoheni keni 10 herë më pak mundësi të sëmureni nga Covid, 10 herë më pak mundësi për të shkuar në spital”, tha ajo.
E dyta, sipas Perryt, “është se ne duhet të vazhdojmë të mbajmë maska”. “Është ajo që është, na ndihmon të parandalojmë COVID. Rastet e COVID që po ndodhin në Shqipëri tani, mund të parandalohen duke mbajtur maskën. Pra, kur jeni brenda vendosni një maskë, kur jeni në autobus vendosni një maskë, kur jeni jashtë në ajër të hapur dhe nuk është askush përreth jush nuk ka nevojë të mbani maskë. Dhe më në fund nëse nuk ndiheni mirë, qëndroni në shtëpi. Qëndroni në shtëpi, nëse dyshoni se mund të jeni ekspozuar ndaj dikujt me COVID mund të testoheni. Nëse rezultoni pozitiv, qëndroni në shtëpi, karantinohuni dhe parandaloni infektimin e të tjerëve. Dhe në fund doja të thoja se: Unë nuk jam shqiptare, por e kam Shqipërinë shumë thellë në zemër”, tha ajo.