Kjo është historia e Valentina Mukës, gruas nga Berati e cila flet për Dritare TV nga Kanadaja.
Pasi i morën nga duart ëndrrën për Amerikën, falë një ndihme të vogël Valentina kërkoi një ëndërr të re, e gjeti dhe e realizoi me çdo kusht sepse kishte vetëm një synim, të ikte nga Shqipëria e pas ‘97-ës bashkë me burrin dhe dy fëmijët e saj. Bashkëshorti i saj nuk e preku dot ëndrrën kanadeze, pasi ndërroi jetë nga një infarkt i shkaktuar nga një ngjarje tronditëse që i shënjoi jetën, kur maskat i grabitën 40 mijë dollarët që i kishte fituar me mund e me djersë.
Në këtë pjesë të dytë të emisionit Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, tregon se e gjithë familja ka kaluar sfida të mëdha për të qëndruar në Kananda, por më e madhja ishte humbja e bashkëshortit.
“Pasi lava 15 mijë dollarët që kisha marrë borxh kur erdha në Kanada, këtu kisha të drejtë të përfitoja asistencë sociale, pasi isha nënë e vetme, me dy fëmijë. Meqë të tre ne, unë dhe dy fëmijët e mi shkonim në shkollë, e përfituam këtë asistencë. Një ditë, kur po kthehesha nga shkolla, poshtë derës së shtëpisë gjeta një cek me 1160 dollarë kanadezë. E mora në dorë, u habita. Nuk kisha parë asnjëherë kaq lekë në emrin tim dhe të ishin në duart e mia.
Unë atë e konsiderova si diçka shumë të madhe për mua. Petriti na e dërgoi ne këtë dhuratë. Meraku i tij, që ne mos vuanim. Unë e kam pasur gjithmonë mbështetjen e tij, merakun e tij për fëmijët, për familjen. Kur e humbëm dhimbjen e përjetuam secili më vetë, nuk e shfaqnim te njëri-tjetri. Më vjen keq për fëmijët sepse ato 3-4 vjet ata u rritën para kohë. Ishin 15 dhe 17 vjeç kur i grabitën paratë të atit dhe më pas kur ai humbi jetën. Ata humbën fëmijërinë, u rritën parakohe. Por jeta vazhdoi, ne përparuam dhe ja ku jemi sot” u shpreh Valentina.