Durrësi është renditur në vitin 2020 në qarkun e dytë më të madh në vend, pas Tiranës, duke ia kaluar në këtë mënyrë Fierit, që deri tani ishte pas kryeqytetit sa i takon numrit të popullsisë.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2020, Durrësi kishte 290.7 mijë banorë, me rritje të lehtë prej 0.2% duke ia kaluar për herë të parë Fierit. Ky i fundit zbriti në 289.9 mijë banorë, pasi popullsia e tij ra me rreth 1.7%.
Në fakt, Fieri, së bashku me Elbasanin, rezultojnë qarqet që kanë pasur reduktimet më të mëdha të popullsisë, që nga viti 2001, kur INSTAT raporton të dhënat. Të dy këto qarqe kanë humbur nga rreth 92 mijë banorë në dy dekadat e fundit.
Me zvogëlim në dy dekadat e fundit rezultojnë dhe të gjitha qarqet e tjera, Kukësi, Lezha, Gjirokastra, Shkodra, Korça, Berati.
Në raport me popullsinë përkatëse, qarku që është reduktuar më shumë është Gjirokastra, që pothuajse është përgjysmuar. Në Gjirokastër në 2020-n jetonin 59 mijë banorë, nga rreth 113 mijë në vitin 2001. Kjo ka bërë që ky qark të jetë sot më i vogli në vend, ndërsa në vitin 2001, ishte Kukësi me më pak banorë.
Dibra është një tjetër qark që ka humbur gati 40% të popullsisë në dy dekada, duke zbritur në 116 mijë banorë.
Berati është reduktuar me -37% në krahasim me vitin 2001, Kukësi me -32%, Shkodra me -22%, Korça me -23%, Elbasani me -25%, Fieri me -24%.
Pothuajse e pandryshuar, me një rënie të lehtë prej 2% ka mbetur popullsia e Vlorës.