Nga Enkeleda Bodini
Historitë e suksesit janë gjithmonë frymëzuese dhe të bukura për t’u lexuar e treguar. E tillë është dhe historia e Egesta Lopcit, shkencëtares nga Shkodra që sot po shkëlqen në fushën e mjekësisë në Itali.
Në një intervistë ajo ka rrëfyer për rrugëtim e saj nga Shkodra në Milano, të mbushur me sfida e vështirësi që u përkthyen në sukses dhe arritje.
Egesta që e vogël ka qenë një natyrë kurreshtare dhe pikërisht ky kuriozitet për të njohur botën në të gjitha dimensionet e saj, e shtyu të ndiqte studemet në Itali, në Mjekësi.
Falë punës së palodhur, sot ajo është shkencëtare në mjekësinë bërthamore. Për të, të qenit shkencëtare është një nder i jashtëzakonshëm dhe një përgjegjësi e madhe, që peshon edhe më rëndë në supet e mbuluara me shami.
Egesta nuk është nga ata vajzat që suksesin e mat me “like” në Instagram, por më gjetje të cilat i shërbejnë jetës në kuptimin e parë të fjalës.
Ajo është një shqiptare të cilën duhet ta marrim shembull për të treguar se, kur vjen fjala te puna, e rëndësishme është “je apo nuk je e zonja”.