Ajo ka 50 vite martesë dhe tregon se 18 vitet e para të martesës i ka jetuar në shtëpi të ndarë nga bashkëshorti. Siç shprehet ajo, për të këto kanë qenë edhe vitet më të lumtura të jetës së saj martesore.
Rudina Magjistari: Duket se ka një trend gjithnjë e më tepër, po flitet se çiftet kanë bërë zgjedhjen të flenë në dhoma të ndryshme. A mendoni se mund të jetë sekreti i jetëgjatësisë të fjeturit në dhoma të ndara apo në shtëpi të ndara?
Edith Mihali: Rastësisht i kam të dyja rastet. E para e pranova me shumë kënaqësi ftesën se unë në 17 Tetor kam 50-vjetorin e martesës.
Rudina Magjistari: 50 vite! Urime!
Edith Mihali: 50 plus 5 vite para i thonë 55. Në një moment që ti je shumë e re, merr vendimin më të rëndësishëm të jetës tënde. Po them që na ka karakterizuar përgjegjësia te të dy, ku bën pjesë toleranca, sakrifica dhe durimi. Pas 9 muajve martesë unë pata djalin. Bashkëshorti, Prokopi, kishte një shtëpi të vogël. Unë kisha një shtëpi më komode, më të mirë. Dhe sakrifica e parë ishte e tij. Unë mund të rrija te mamaja me djalin dhe ai të rrinte në shtëpinë e tij.
Rudina Magjistari: Pra për sa vite i bie?
Edith Mihali: Për 18 vite unë kam ndejtur veç.
Rudina Magjistari: Për 18 vite keni jetuar në shtëpi të ndryshme.
Edith Mihali: Në shtëpi të ndryshme. Dhe është momenti më i lumtur. Kemi shëtitur shumë, s’kemi lënë vend pa vajtur. Për fëmijën kujdeseshin katër personazhe kjo më bënte të kisha shumë kohë për të frekuentuar restorantet. S’kam lënë, thënë me humor, ‘mihane’, pa shëtitur me bashkëshortin. Të qenurit larg e në shtëpi të ndryshme, ke më shumë mall. Ne ishim veç, por ishim shumë bashkë.