Pak ditë pasi e ndjera Bedrie Loka, në Sukth të Durrësit, i dha fund jetës duke konsumuar fotoksinë, një tjetër grua ndërmori këtë akt makabër duke u vetëflijuar në Berat. 45-vjeçarja nga fshati Cukalat, i dha fund jetës ditën e djeshme duke pirë fotoksinë.
“Mesditën e djeshme, është paraqitur për të marrë mjekim në spitalin rajonal të Beratit, shtetasja F. B., 45 vjeçe, e cila dyshohet se në gjendje të rënduar psikologjike, për shkak të depresionit, ka konsumuar Fotoksinë. Pavarësisht ndërhyrjes së specializuar të shërbimeve mjekësore, 45-vjeçarja ka humbur jetën. Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, vijojnë hetimet për të dokumentuar ligjërisht rrethanat e rasti,” njoftoi policia.
Për mediat, familjarët e gruas, të tronditur nga kjo ngjarje e rëndë kanë treguar se 15 vite më parë ajo ishte divorcuar nga martesa e parë nga e cila kishte dy djem. Sipas asaj që të afërmit kanë treguar prej 15 vitesh, 45-vjeçarja nuk kishte mundur të takonte fëmijët e saj, pasi ish-bashkëshorti dhe ish vjehrra nuk e lanë kurrë t’i shikonte. Martesa e saj e dytë sipas të afërmve po shkonte mirë por malli për fëmijët po i shtohej çdo ditë dhe më shumë.
Përgjatë ditëve të fundit, ajo ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike, ndërsa siç tregon e afërmja e ndjera mendonte se fëmijët mund ta urrenin pasi nuk e dinin të vërtetën që e ëma s’mund t’i takonte jo për dëshirën e saj, por se babai i tyre nuk i lejonte.