Situata me Covid-19 tashmë ka dalë nga kontrolli në Kosovë. Rastet e reja me këtë virus po rriten për çdo ditë. Vetëm sot janë regjistruar 1 mijë e 765 raste dhe 5 të vdekur. Ndërkohë pritet që të merret një vendim për masat e reja.
Në 24 orët e fundit në Kosovë janë raportuar edhe 5 viktima si pasojë e Covid-19.
Gjatë kësaj kohe janë regjistruar edhe 1 mijë e 765 raste të reja të infektuara me këtë virus.
Nga grupmosha 20-29 vjeç të infektuar janë 434 persona, ndërkaq nga 30-39 vjeç janë infektuar 285 vetë.
Po ashtu, nga mosha 10 deri 19 vjeç, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orëshin paraprak kanë dalë pozitivë me COVID-19, 179 persona.
Me rritjen enorme të numrit të rasteve të reja, numri i rasteve aktive ka shkuar në 10 mijë e 183.
Kurse, ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate për media ka njoftuar se ministri Arben Vitia do të takohet me krerët e institucioneve shëndetësore për të diskutuar masat anti COVID-19.
“Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, z. Arben Vitia ka ftuar për sot në takim krerët e institucioneve shëndetësore të vendit dhe hisedarët në zbatimin e masave kundër COVID-19. Në këtë takim do të diskutohet për situatën epidemiologjike në vend dhe ndërmarrjen e masave të tjera anti COVID-19”, thuhet në komunikatën e MSH-së.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e qeverisë të mbajtur më 12 gusht ka marrë vendim për masat e reja anti-COVID.
Sipas Qeverisë së Kosovës, masat për ruajtjen e shëndetit publik dhe mbrojtjen nga COVID-19 janë vërtetuar si të domosdoshme për të kufizuar transmetimin e COVID-19 dhe për të zvogëluar vdekjet.
“Mbajtja e dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës, lejohet deri në ora 01:00. Organizimi i dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës, është i lejuar me kusht që të shfrytëzohet 50% e kapacitetit të hapësirës, por jo më shumë se treqind (300) të ftuar në rastet kur 50% e kapacitetit të hapësirës tejkalon këtë numër. Distanca në mes të tavolinave duhet të jetë tri (3) metra. Për mbajtjen e dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës, obligohet respektimi i udhëzuesit të veçantë për ahengje”, thuhet në vendim.
Orari i klubeve të natës është zgjatur deri në orën 03:00 pas mesnate.
“Klubet e natës lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 23:00 deri në ora në ora 03:00. Kryerja e pagesave si dhe lirimi i hapësirës nga ana e klientëve në klubet e natës duhet të bëhet deri në ora 03:15. Në ambientet e mbyllura të klubeve të natës lejohet shfrytëzimi deri në 50% e kapacitetit të hapësirës. Në ambientet e hapura të klubeve të natës lejohet shfrytëzimi deri në 70% e kapacitetit të hapësirës”, thuhet në vendim.
Ndërkaq nga 20 gushti e deri më 10 shtator, hyrja në ambientet e klubeve të natës, diskotekave dhe ambienteve ku mbahen dasmat, fejesat, ahengjet familjare e të ngjashme,tubimet masive, të cilat kanë kapacitet mbi 100 persona, do të lejohet vetëm me Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një dozë të vaksinës kundër COVID-19; Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë; Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve; Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.
Ky vendim thuhet se është bazuar në vlerësimin e situatës epidemiologjike dhe kapaciteteve të sistemit shëndetësor për t’u përgjigjur, por duke i vlerësuar ato edhe nën dritën e efekteve të këtyre masave që mund të ketë në mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë dhe individëve.
Nga fillimi i pandemisë e deri tash janë regjistruar 118 mijë e 752 raste pozitive. Kanë vdekur 2291 persona.
Ndërkaq, sa i përket vaksinimit, deri tash në Kosovë janë kryer mbi 615 mijë vaksinime. Prej tyre rreth 215 mijë qytetarë kanë marrë të dy dozat.