E pazakonte/ Mbi 50 mijë lëkundje tërmeti në 3 javë në këtë zonë, shkencëtarët thone se..

Islanda ka regjistruar një shifër rekord tërmetesh përgjatë 3 javëve të fundit. Bëhet fjalë për më shumë se 50 mijë lëkundje sizmike, me magnitudë deri në 5.7 të shkallës Rihter. Ky numër i lartë tërmetesh tregon se në vend, me gjasë, do të ketë një shpërthim vullkanik.

Sipas asaj që shkruan BBC, shkencëtarët nuk janë të qartë se kur mund të ndodhë ky shpërthim, ndërsa islandezët po mësohen të jetojnë me këto lëkundje. Shumë prej tërmeteve kanë qenë me magnitudë mbi 5 të shkallës Rihter. Banorët shprehen të stërmunduar, pasi gjatë gjithë kësaj periudhe e bëjnë gjumin me një sy hapur.

“I ndjejmë lëkundjet gjatë gjithë kohës, duket sikur po ecën mbi një urë që lëkundet”, thotë një banor i qytezës së Grindavik. Kjo qytezë ndodhet në jug të gadishullit të Reykjanes, një zonë me aktivitet të lartë vullkanik dhe sizmik.

E pozicionuar mes pllakave tektonike të Euroazisë dhe Amerikës së Veriut, Islanda përjeton shpesh tërmete, teksa pllakat tektonike lëvizin ngadalë në kahe të kundërta, rreth 2 centimetra çdo vit.

Shkencëtarët i konsiderojnë këto lëkundje sizmike si të paprecedenta.