Fituese e disa festivaleve. “Në moshën e rinisë“, “E duam lumturinë“, “Më the të dua”, janë vetëm disa nga këngët me të cilat ajo u bë një ndër zërat më të pëlqyer për shqiptarët nbdër vite.
“Më the të dua”, për nga vargjet këndohej vazhdimisht gjatë muajit gusht, në ato vite.
Parashqevi Simaku është ngulitur fort në kujtesën e shqiptarëve. Një nga zërat më të rrallë të muzikës sonë, ajo këndoi muzikën e lehtë, por edhe atë popullore.
“Kur këndonte këngën e Qamiles, të rrënqethte mishin. Parashqevia është zëri femëror më i mirë i skenës shqiptare.”
Kështu është shprehur në një intervistë në vitin 2015 kompozitori Agim Krajku ndërsa shtoi se ajo është “një zë si ai nuk i vjen më Shqipërisë’.
Parashqevi Simaku ishte miti i viteve 80-90.
Ajo u lind në Kavajë më 1 shtator 1966. Dhe më pas u shpërngul në Durrës. Që e vogël filloi të këndojë, duke bashkëpunuar me kompozitorë të talentuar. Ikona e bukurisë shqiptare feston pak ditë më vonë ditëlindjen.
“Unë jam vajzë e dy prindërve që si shumë të tjerë në Shqipëri nuk kanë pasur mundësi të përfitojnë nga puna e tyre. Kësisoj më është dashur të luftoj si për ëndrrat dhe për mundësitë ekonomike. Jam munduar sidomos të ndihmoj mesa mundem familjen time.”
“Babai dhe nëna ime janë dashuria dhe mbështetja shpirtërore më e madhe që kam pasur ngaherë. Atyre iu dedikoj jetën dhe ëndrrat e mia. Ata ishin artistë të lindur dhe kultivuan e lejuan tek unë ndjenjën artistike, me gjithë thashethemet dhe ngacmimet e zakonshme që më rrethonin, e që asnjë prind s’dëshiron t’i dëgjojë për bijën e vet”, tha ajo në një intervistë të fundit pas ardhjes në Shqipëri, gati 20 vjet më parë.
Parashqevia këndoi në shumë festivale edhe Koncerte të Pranverës.
Më 1985 (Festivali i 24-të i Këngës në RTSH) zuri vendin e parë me këngën “Në moshën e rinisë“.
Gjithashtu më 1988 fiton çmimin e parë të Festivali i 27-të i Këngës në RTSH me këngën “E duam lumturinë”, kompozuar nga Pirro Çako.
Repertori i saj përfshin një numër të madh interpretimesh.
Pas vitit 1991 ajo largohet edhe jeton në SHBA.
Hera e fundit që u shfaq në skenë ka qenë viti 1996 në Festivali i 35-të i Këngës në RTSH si e ftuar.
Në SHBA Parashqevia u martua, lindi dhe një djalë nga martesa e saj me Robertin, Luke, por gjithçka mori fund në vitin 2012.
Më vonë u tha se këngëtarja pësoi një paralizë faciale, por asgjë nuk u konfirmua. Nuk dihet më asgjë për të.
Është e pafalshme për një komb, që e ka harrruar ikonën e tij të muzikës. (fjala për autoritetet shtetërore, pasi publiku nuk ka për ta harruar kurrë).
Mbi 20 vite pa iu dëgjuar më zëri, Parashqevi Simaku mbetet megjithatë një nga zërat më të mirë e më të dashur që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. /a.m/noa.al/