Duhet t’i ndëshkoni dhe t’i kërcënoni fëmijët që të binden, se ndryshe “të hipin mbi kurriz” dhe “pijini lëngun pastaj”, kjo është një shprehje që shpesh thuhet për fëmijët. Po në lidhje me këtë, pediatrja e njohur Lira Gjika, ka një mesazh, nisur historia e një gjysheje, që dikur e përdorte këtë shprehje për fëmijët e saj.
“Si nuk u gjend një njeri të më mbajë dorën?”, -këto fjalë m’i tha një mikesha ime, që tashmë si unë është bërë gjyshe. Ajo më tregoi se si ishte në konflikt me vajzën dhe djalin e saj, që i kundërviheshin kur ajo përpiqej t’u zbuste zemërimin, kur ata bëheshin të ashpër me fëmijët e tyre dhe i kërcënonin apo u jepnin ndonjë shpullë të vogël.
Të dy fëmijët e saj, tashmë prindër i ktheheshin: ” Ti flet kështu? Po ti na ke rrahur e drithëruar ne kur ishim sa këta fëmijët tanë, tani do të bëhesh më e mirë se ne.” Ajo u jepte shumë të drejtë dhe sqaronte:” Po përpiqem të ndreq një faj që po e vuaj. Dua t’i shpëtoj pikërisht nga kjo ndjenjë e keqe, që po përjetoj. Si është e mundur që një i rritur të sillet keq me një fëmijë, madje edhe ta qëllojë atë? Si na nxitnin edhe specialistët, qoftë mjekë apo mësues:- Duhet t’i ndëshkoni dhe t’i kërcënoni që të binden se ndryshe “të hipin mbi kurriz” dhe “piJIni lëngun pastaj”.
Këto shprehje nuk i shkuleshin nga mendja dhe e etiketonte veten si të paaftë për të zgjedhur më të mirën dhe për pasojë trembte dhe kërcënonte fëmijët. Shoqja ime fliste dhe unë verifikoja mëmësinë time kur isha e re edhe unë të ashpër e gjeja veten. Ishin bërë bashkë tradita, frika dhe dhuna dhe kishin ndërtuar këtë mënyrë edukimi për fëmijët që bazohej mbi frikën. Kujtoni shprehjen e frikshme, që haste edhe sot, “ai që të do të rreh”. Për fat mirë gjyshe të tilla që përpiqen të ndihmojnë fëmijët e tyre të mos përsërisin të njëjtin faj, po shtohen dhe kjo është vetëm një gjë e mirë”, shkruan pediatrja Gjika.