Infeksionet vaginale janë ndër sëmundjet më të zakonshme gjinekologjike tek gratë dhe vajzat. Kjo mund të jetë edhe arsyeja se pse shumë femra i drejtohen mjekut gjinekolog për të bërë analizat gjinekologjike. Në një intervistë për revistën “Shije”, obsestër-gjinekologia Mimoza Keta tregon se cilat janë tipet e infeksioneve infeksionet vaginale, shkaqet e shfaqjes së tyre dhe ajo që është më e rëndësishmja, trajtimin që duhet në mënyrë që ato të mos ripërsëriten.
Mimoza Keta është mjeke obsestër-gjinekologe me një eksperiencë shumëvjeçare.
Çfarë janë infeksionet vaginale?
Infeksionet vaginale janë infeksione të cilat prekin pjesën e poshtme të aparatit riprodhues, vaginën dhe kolumin. Në qoftë se këto infeksione që kapin vaginën dhe kolumin duke dhënë ato që quhen vaginite dhe cervicite nuk trajtohen ashtu siç duhet, atëherë ato arrijnë të kapin pjesën e sipërme të traktit riprodhues, duke dhënë kështu probleme të tjera të aparatit riprodhues të gruas. Këto probleme përfshijnë abneksitet, parametritet, endometritet dhe biosalpingitet.
Pra, trajtimi i infeksioneve vaginale është domosdoshmëri.
A kanë gratë sekrecione të bardha? Si ndryshojnë këto sekrecione gjatë ciklit menstrual dhe a lidhen këto me infeksionet vaginale?
Cikël menstrual quhet dita e parë e menstruacioneve të para dhe deri në ditën e parë të menstruacioneve pasardhëse. Ciklet mund të jenë 28 ditore (që janë në shumicën e rasteve), 21 ditore, 25 ditore dhe deri në 34 ditore. Gjatë ditëve të ciklit menstrual, sekrecionet vaginale ndryshojnë në strukturën dhe në konformitetin e tyre. Kjo do të thotë që në ditët e para pas ciklit, dhe në ditët para ciklit sekrecionet bëhen më të trasha dhe më opake. Ndërsa, në ditët midis ciklit bëhen më të holla dhe më të tejdukshme, që korespondon me ditët ovulatore.
Nëse kjo strukturë e sekrecioneve ndryshon, atëherë në këtë rast kemi të bëjmë me praninë e një infeksioni. Infeksionet vaginale janë ato që ndryshojnë sekrecionet vaginale. Çdo grua ka sekrecione vaginale, ndaj nëse ato vënë re se ato ndryshojnë në ngjyrë, në konsistencë, në erë, nëse kanë dhimbje gjatë raporteve seksuale, djegie apo kruarje, pikërisht në këto raste, shpeshherë kjo klinikë i bën gratë që të drejtohen tek mjeku gjinekolog.
Megjithëse ne e kemi thënë gjithmonë, dua ta përsëris edhe nëpërmjet revistës tuaj të nderuar që vizita gjinekologjike duhet të jetë e rregullt për çdo grua, aq më tepër analiza dhe kultura e sekrecioneve vaginale për të vlerësuar gjendjen.
Cilat janë llojet më të zakonshme të infeksioneve vaginale?
Infeksionet vaginale mund të jenë të thjeshta, që nuk transmetohen në rrugë seksuale, dhe infeksione që transmetohen seksualisht.
Cilat janë shkaqet?
Shkaqet e infeksioneve vaginale janë të ndryshme: numri i shtuar i partnerëve, shkuarja me një partner të pakontrolluar, ndryshimet në gjak të nivelit të sheqerit, ndryshimet hormonale në gjak dhe sigurisht mosmbajtja e normës dhe rregullave të higjienës ashtu siç duhet. Shpeshherë gratë që kanë një infeksion vaginal, drejtohen tek ne dhe pyesin: “Po partneri?” , dhe në fakt kjo bëhet edhe shkak i një konflikti.
Pra, disa infeksione mund të transmetohen edhe në rrugë seksuale, por që kryesisht vijnë si rezultat i ndryshimit të pH të vaginës. Për shembull, një nga këto infeksione është kandidoza ose myku.
Çfarë ndodh konkretisht?
Në ndryshime të caktuara të ciklit menstrual të ditëve të ovulacionet, para apo pas ditëve të ciklit menstrual, ndryshon edhe pH i vaginës. Në këtë mënyrë në vaginë rriten aktualisht disa lloje kërpudhash që janë kandidalbikans, por në një koncetrim shumë të ulët. Në momentin që ndryshon pH i vaginës, është njësoj si lulet në pranverë, ata fillojnë të marrin një mbirritje dhe lulëzojnë, duke dhënë atë sëmundje që quhet Kandidoza vulvovaginale. Ndërkohë, gratë kryejnë marrëdhënie seksuale dhe ky infeksion i transmetohet edhe bashkëshortit/partnerit. Por, kjo mund të ndodhë edhe pas raporteve seksuale.
A ka një grupmoshë që është veçanërisht e prirur të jetë më e ekspozuar ndaj infeksioneve vaginale?
Të gjitha gratë e moshës aktive riprodhuese ndeshen me një infeksion vaginal qoftë edhe një herë në jetën e tyre. Sot, shifrat flasin se 65 deri në 70 për qind e grave mund të jenë paraqitur me infeksione vaginale, që nga më të thjeshtat e deri në infeksionet seksualisht të transmetueshme. Grupmosha që preket më tepër nga një infeksion vaginal që quhet Klamidia prakomatis, një infeksion që paraqitet me sekrecione vaginale të shtuara, në formën e qelbit apo me erë, është ajo nga 18 deri në moshën 23 vjeçare. Janë infeksione të cilat influencojnë më vonë në procesin e riprodhimit, sepse prekin tubat dhe prishet kalueshmëria e duhur e tubave të fallopit në të cilat kalon veza.
Pra, në këtë mënyrë, steriliteti është më i rritur tek këto vajza të cilat e kanë këtë infeksion, që është edhe seksualisht i transmetueshëm.
Është e vështirë të diagnostikohen infeksionet vaginale?
Vizita gjinekologjike është domosdoshmëri për të diagnostikuar infeksionet vaginale. Në laboratorët tanë bëhet edhe një analizë e sekrecioneve vaginale në këtë formë: i japin tamponin vajzës/gruas dhe e drejtojnë për në banjo në mënyrë që ta marrin vetë sekrecionin vaginal. Por, ky tampon takon edhe në lëkurën e trupit dhe jep kështu një infeksion fals.
Prandaj, gjatë vizitës gjinekologjike, është mjeku gjinekolog ai që duhet të marrë kampionin për të bërë analizën dhe kulturën e sekrecioneve vaginale. Sigurisht, një sy i stërvitur shikon edhe për identifikimin e infeksioneve të tjera.