Mjekja nutricioniste PhD.Dr.Albana Daka, në shkrimin e saj të radhës, flet mbi problematikën e gurëve në veshka, trajtimet si dhe për rekomandimet e nevojshme ushqimore në të tilla raste.
Më poshtë artikulli i plotë:
Të gjithë njohim të paktën një person që ka provuar dhimbjen e tmerrshme të gurëve në veshka. Guri në veshka është një masë e fortë që formohet nga kristalet në urinë. Kur gurët në veshka janë të vegjël, mund të kalojnë pa u vënë re nëpërmjet urinës. Megjithatë, shpesh ato rriten shumë dhe nuk mund të kalojnë nëpërmjet kanalit urinar dhe disa gurë kanë maja të mprehta dhe shkaktojne dhimbje goxha të forta. Për shumë persona, gurët në veshka janë si zogjtë shtegtarë; ato mund të ikin përkohesisht por kthehen sërish vitin tjetër. Prandaj, nje pjesë kryesore e trajtimit ka si qëllim parandalimin e rishfaqjes.
Eshtë e rëndësishme të dihet se jo te gjithë gurët në veshka janë njëlloj. Tipi më i zakonshëm i gurëve është ai që formohet nga kalciumi dhe oksalatet. Trajtimi individual për gurët në veshka varet nga lloji i gurit të formuar. Mjeku duhet të përcaktojë përmbajtjen minerale të gurit dhe të identifikojë arsyet mjekesore që mund të kenë kontribuar në formimin e gurëve. Trajtimi parandalues mund të jetë me ilaçe dhe/ose ndryshime në regjimin ushqimor.
Rekomandime ushqimore:
Rrisni sasinë e lëngjeve: Kjo ështe masa parandaluese më e rëndësishme për të gjithë pacientët që kanë gurë në veshka. Pengon formimin e gurëve duke holluar urinën. Si udhëzim, pini një gotë lëng (200 ml) çdo orë në kohën që jeni zgjuar, dhe një gotë 200 ml gjatë natës nese ju ndodh të zgjoheni për çfarëdolloj arsyeje. Të paktën 50% e lëngjeve të marra duhet të jetë ujë.
Kalciumi: Kalciumi i marrë nga ushqimet përthithet gjate tretjes në zorre. Trupi e përdor këtë mineral për shumë funksione të rëndësishme. Çdo tepri që është përthithur nxirret jashtë nëpërmjet veshkave. Pjesa më e madhe e kalciumit në dietë vjen nga qumështi dhe nënproduktet e tij të tilla si: kosi apo djathi. Kalciumi në këto ushqime zakonisht përthithet lehtësisht. Sasia e madhe e kalciumit në urinë në gjuhën mjekësore njihet si hiperkalcuri. Në disa raste të hiperkalcurisë mund të parandalohet formimi i gurëve në veshka duke kontrolluar sasine e kalciumit në dietën ushqimore.
Oksalatet gjenden kryesisht në ushqimet me bazë bimore. Kalciumi kombinohet me oksalatet në zorrë. Kjo e redukton aftesinë e kalciumit për t’u përthithur. Disa nga ushqimet kryesore përgjegjëse për rritjen e nivelit të oksalateve në urinë janë: spinaqi. luleshtrydhet, çokollata, arrat, panxhari dhe çaji.
Sheqeri, kripa dhe proteinat shtazore: Studimet tregojnë se sasi të mëdha të këtyre lëndëve ushqimore mund të nxisin zhvillimin e gurëve në veshka. Duhen shmangur ushqimet e paketuara me sasi të larta sheqeri. Reduktimi i kripës në regjimin ushqimor shoqërohet me reduktim të sasisë së kalciumit në urinë. Rekomandohet që sasia e kripës të jetë diku mes 2300 dhe 3500 mg në dite. Gjithashtu njerezit që kanë tendencë për të zhvilluar gurë në veshka duhet të shmangin konsumimin e proteinave me tepri. Një mjek nutricionist mund t’ju rekomandojë sasinë e duhur për çdo rast./Nga Albana Daka