Dr. Albana Daka foli ditën e sotme në rubrikën “Abc e shëndetit” për kancerin e prostatës dhe parandalimin e tij. Ajo këshilloi kryerjen e kontrolleve rutinë pas moshës 45 vjeçare pasi nëse masa malinje kapet në stadet e para, mund të trajtohet lehtësisht.
Dr. Albana theksoi se njerëzit që janë mbipeshë apo me sëmundje shoqëruese kanë më shumë predispozitë për t’u prekur nga kanceri i prostatës. Një tjetër faktor është dhe gjenetika, por siç tha mjekja, me regjimin e duhur ushqimor mund ta dominojmë gjenetikën.
“Testi shumë i rëndësishëm është total PSA. Nëse kemi zmadhim mbi nivelet normale, masim dhe fraksionin e lirë, free PSA. Në bazë të një raporti që bëhet midis këtyre dy testeve shihet me çfarë kemi të bëjnë, nëse është një infeksion, zmadhim beninj, apo fillesat e një mase malinje. Nëse kapet në stadet e para është e trajtueshme. Prandaj duhet t’i sensibilizojmë njerëzit të bëjnë check-upe. Në shumicën e meshkujve fillon me djegie në fund të barkut apo me çrregullime në urinim por nuk do të thotë se nëse nuk kemi shqetësime të tilla, të mos shkojmë te mjeku.”, tha Daka.
Nutricionistja vuri theksin te regjimi ushqimor mesdhetar. Ajo rekomandoi perimet krucifere si brokoli, lulelakra dhe lakra e Brukselit, të cilat kanë një efekt të mirë sepse kanë veti antikancerogjene. Rekomandohet gjithashtu domatja për shkak se përmban likopen.
“Një regjim mesdhetar me sa më shumë fibra, me të gjitha drithërat sepse me kalimin e moshës tretja bëhet jo cilësore dhe me drithërat integrale lëvizja e zorrëve bëhet më e mirë. Nëse kemi tendenca për diabet, ushqimet integrale e mbajnë nivelin e sheqerit në mënyrë më korrekte.“, tha doktoresha.
Megjithatë, siç tha doktoresha, regjimi ushqimor varet në varësi të rastit dhe stadit të sëmundjes. Sipas saj, duhen eliminuar lëngjet e frutave, qoftë dhe ato të shtrydhura pasi përmbajnë fruktozë. Gjithashtu duhet të hiqet mishi i kuq si dhe të ketë sa më pak bulmet.